Nga BUJAR QESJA
Me 9 dhe 10 shtator 2023, u ndodhëm në Sarandë. Na kishte thërritur Pupi, emër i madh i notit, që edhe më shumë po len gjurmë si organizator eventesh të spikatura të notit për veteranë. Sadik Mema, “Mjeshtër i Madh”, po tregohet po kaq i madh edhe në angazhimin e jashtëzakonshëm, me qëllimin e vetëm që noti për veteranë të mos shuhet. Shumë nuk jetojnë, por po kujtohen. Kështu edhe për të madhin e notit sarandiot Idriz Muço. Ka 6 vite i ndarë nga jeta, por 6 vite që kujtohet në garat e maratonës, që organizohen në vendlindjen e tij -Sarandë.
Sadik Mema më kërkoi që të ndodhesha në Sarandë, pranë tij në këtë organizim që do të bënte. Dhe më kë mund ta bëja këtë rrugëtim, veçse me një nga heronjtë e notit shqiptar Petrit Guma. Durrsaku Guma, është paksa i mërzitur, pasi mirënjohja për përfaqësimin e shkëlqyer të notit të “Lokomotivës”, nuk i është çmuar në raporte zyrtare.
-Jam vërtet durrsak, shprehet Petrit Guma, por u largova në Tiranë për arsyje sipërmarrjesh. Kam qarë kur ika. Por tani skur u mësova me këtë largim, aq më shumë kur edhe vlerësimet mungojnë.
Por jam i sigurtë që amatorët durrsakë të notit, nuk mund ta harrojnë beniaminin e tyre, rekordmenin historik dhe yllin e notimeve në garat e thellësisë. Rrugëtimi me Petritin është i këndshëm. Shpirti i tij është aq madh, sa edhe titulli që ka dhe mjeshtëria e notimit që nuk e ka harruar ta zotërojë. Rrëshqet lehtë dhe ëmbël mbi ujë dhe është shans ta vrojtosh në këtë bukuri notimi.
Bashkohemi në Sarandë me yjet e notit të viteve 70-80 –të . Emra të famshëm. Gjigandë të vërtetë. Ilir Ymeri vjen nga qyteti grek i Peristeriit. Ka dy fëmijë dhe është i martuar me një greke. Në stilin shpinë ka dominuar. Sipas tij, në ballë të notit shkodran qendrojnë Azem Plisi, Mark dhe Rrok Shestani. Por të tjerë më thonë edhe për të. Nuk harron të përmëndë edhe Rovena Markun, Selami Ibrahimin, Kudrete Kozmain, Anila Egërçi, Flutura Shkenza, familja Murriqi, Ethem Avdia etj. Por kështjellë e historisë së notit shkodran, mbetet familja e njohur Shestani me emra të tillë si Lin, Anjeza, Tefë, Mark, Rrok, Zef dhe Moisi.
Sipas Veni Bodes tek “Flamurtari” shkëlqimi anon tek Jani Hondro, Skardilajt Shyti dhe Tomor Dano, pa harruar edhe Pavllo Kisin, Vladimir Xhelilin dhe Liro Kreshpën. Dhe Durrësi ka kolosët e tij si Niko Kurani, Kastriot Karamuço, Petrit Guma, Alida Leka, Mirban Kadiu, motrat Bekridheli, motrat Mullaliu, Shyqyri Gjepali, vëllezërit Kapexhiu, Eqerem Korra, Shpëtim Bejko, Mehmet Kikrri, etj.
Notarë të njohur nga Pogradeci, Lezha, Shkodra, Durrësi, Tirana, Vlora, Saranda, madje edhe nga Lushnja dhe Elbasani, krijojnë sofrën e jashtëzakonshme të notit, të atij noti që ishte mburrje dhe qendron i pa cënuar në historinë e notimit, si vlerë e patjetërsueshme e trashigimisë.
Ajo që më tërhoqi vëmëndjen është, se disa veteranë kishin ardhë enkas nga jashtë vëndit, për t’iu përgjigjur Pupit në organizimin e kupës “Idriz Muço” në maratonën e notit për 1 dhe 2 kilometra. Shefi i klubit i Butrintit, energjiku dhe aktivi Fuat Karalli dhe Bashkia e Sarandës, i kishin kopsitur gjërat që duheshin. Koha e bukur, dielli verbues, qielli i kaltër i binjakëzuar me detin blu, prania e notarëve veteranëve dhe e shikuesve sarandiotë, turistë të huaj dhe vendas, krijuan mjedise tërheqëse dhe të paharruara.
Vajza e Idriz Muços Idela, bashkim i emrave të babait dhe nënës Idriz dhe Mirela, i biri Elsid Muço na pritën në lokalin e tyre. Qendruam deri në orën 2 të natës dhe nuk na bëhej të iknim. Ajri që vinte nga deti Jon, thyer edhe me rilievin shkëmbor tipik të Sarandës, muzika e lehtë që vinte nga lokalet, e përzier me fëshfërimin ëndërruese të valëve të detit, e bënë mbrëmjen tonë magjike. E diela e 10 shtatorit, erdhi edhe më e bukur dhe më e veçantë.
Fotot e rastit. Kujtime me mbresa. Përqafime e shtrëngime duarsh. Dhe dy garat simbolike. Në maratonën prej 2 kilometrash, e fitoi notari elbasanas Andi Kongoli dhe për femra Anxhela Dyrmishi e Tiranës. Ndërsa në garimin për maratonën 1 kilometër, i pari e preki pankinën notari veteran pogradecar Vladimir Mato dhe për femra, e mirnjohura, ish notarja sarandiote Anthulla Ekonomidhi Gjika.
Tërheqëse ishte momenti, kur po mbyllnin garën e improvizuar prej 500 metrash mjeshtra të tillë të njohur Petrit Guma dhe Skardilajt Shyti, si dhe 82 vjeçari, i paplakuri Sulejman Poda, që noton dimër dhe verë. Ky shembull është ngacmim për brezin e ri, për të kuptuar dhe prekur, pasionin dhe dëshirën e jashtëzakonshme të emrave të njohur të notit shqiptar, që kanë bërë edhe histori, miqësinë e tyre vëllazërore dhe respektin njerëzor.
Nuk mund të rri i qetë po nuk përmënda, që në këtë veprimtari erdhën enkas nga Italia, notarët durrsakë Bardhyl Çikalleshi dhe Kostandin Minga, lushnjari Sadik Troka nga Napoli, tiranasi Edmond Mema nga Milano, vlonjati Skardilajt Shyti nga Amerika, shkodrani Ilir Ymeri nga Greqia, e kështu edhe raste të tjera analoge.
Me sa munda po përmënd shumicën e notarëve veteranë që “puthën” Sarandën me 9 dhe 10 dhjetor 2023. Kol Shiroka, Pandeli Nika, Sulejman Poda, Ilirian Kreshpa, Pavllo Kisi, Alush Çukali, Skardiljad Shyti, Silvan Shyti, Sadik Troka, Veni Bode, Tomor Dano, Edmond Mema, Mehmet Kikrri, Sotiraq Iftica, Vladimir Mato, Lorenc Llakmani, Todi Anxhellari, Kiço Tola, Marjel Iftica, Vladimir Xhelili, Ilir Ymeri, Jani Kurti, Luan Rexha, Telemak Dafa, Bardhyl Çikalleshi, Kostandin Minga, Shyqyri Kërpaçi, Selami Lishi, Ferdinant Gjoka, Andi Kongoli, Petrit Guma, Myrteza Didati, Anthulla Gjika, Sezana Mehmeti, Anxhela Dyrmishi, Dhanil Plaku. Këtu e ka vëndin të përmënd edhe Emin Lishin, kryegjyqtarin e garave, një tjetër i famshëm i sporteve.
Pranë garave u ndodh edhe një profesionist i njohur i arredimeve, me gjithë familjen. Ai është taliani Xhino Donzella, me bashkshorte shqiptaren Mira dhe ka 25 vite që punon në Shqipëri me firmën “Stile Arredo”.
Sadik Mema dhe Agim Çiraku. Dyshja më fatlume e notit shqiptar. Pupi është kryetrajner “Tek Stela” dhe kryetar i Shoqatës Kombëtare të Veteranëve të Notit. Ka një respekt të paimagjinueshëm, në të gjithë masën e notarëve.
Është zotni burrë, si i thonë një fjale. Komunikues, gojëmbël, punëtor i madh. Po kështu edhe Agim Çiraku, presidenti i Federatës Shqiptare të Notit. Kjo dyshe punon si një turbinë e fuqishme, duke i dhënë energji dhe ndikuar në mbijetesën e notit, por duke mbajtur gjallë edhe traditën.
Në kthim me Petrit Gumën dhe italianin Xhino Donzella, me familjet tona, drekojmë në tavernën “Muzhaqi” në Nivicë të Sarandës. Atje takohemi edhe me intelektualin me emër të këtij komunitetti Vladimir Kumi. Vonë në mbrëmje kthehemi në Durrës dhe ndahemi me miqtë e mi. E falenderoj Petrit Gumën, që mundësoi prezencën time në Sarandë, pranë veteranëve të notit, pranë yjeve të historisë së këtij sporti shumë të zhvilluar, në Shqipërinë e viteve 70-të, 80-të.
Mirënjohje dhe fjalë nga më të zgjedhura për Sadik Memën dhe Agim Çirakun, duke shpresuar se bashkëpunime të tilla, që lejnë mbresa dhe kujtime mahnitëse, do të njohim e shikojmë edhe në të ardhmen.
Suksese Shoqatës Kombëtare të Veteranëve të Notit! Suksese Pupi! Mundësi të reja organizimesh Agim Çiraku.
Bujar Qesja
Durrës: 11 shtator 2023