Armando Sadiku është njeriu që mbajti lart nderin e Shqipërisë në Europian, madje ai është njeriu që do të mbahet mend përjetësisht. Sulmuesi elbasanas që shënoi golin e parë europian për kuqezinjtë dhe i dhuroi 3 pikë skuadrës së De Biasit, ishte i ftuari special i emisionit “Allez Shoë” ku rrëfeu emocionet e Euro 2016, u ndal te momenti i rastit të humbur ndaj Zvicrës, por foli edhe për hapat e parë të karrierës së tij. 25-vjeçari që në hierarkinë e formacionit të De Biasit fitoi shumë pozicione gjatë muajve të fundit, u ndal fillimisht te aventura në radhët e Gramozit dhe Turbinës.

“Ka qenë një sakrificë e madhe për mua që të luaja me ekipe të vogla si Gramozi dhe Turbina por më pas u ktheva në Elbasan. Ndonjëherë luaja edhe pa u paguar por gjithmonë e kam ditur se do të arrija dicka. Gjithmonë kam besuar. Edhe në fund të ndeshjes unë besoj gjithmonë se topi do të vijë dhe unë do të shënoj. Që kur kam qenë i vogël, shpesh herë flija gjumë edhe me veshjen e stërvitjes”.

Në vijim ai e pranon se vendimi për t’u larguar nga Shqipëria ishte i duhuri, ndërsa komenton edhe lëvizjen surprizë të sezonit të fundit për t’u bashkuar me Vaduzin.

“Nuk e ndieja me gjithë zemër që të shkoja te Vaduzi, por ishte trajneri ai që më bindi duke më premtuar vendin në formacion, madje më premtoi që do të isha unë që do të vendosja për emrat e sulmit që do të luanin me mua”.

Sadiku e pranon se kampionati ideal për karakteristikat e tij është Bundesliga dhe ai ëndërron që një ditë të luajë në Gjermani. Gjithsesi, e ardhmja e bomberit shqiptar mbetet e komplikuar pasi Zyrihu ka vendosur një çmim shumë të lartë për kartonin e tij dhe ky fakt mund t’i stepë skuadrat pretendente që dëshirojnë ta afrojnë në merkaton e verës.

“Pas një bisede që menaxheri im ka bërë me drejtuesit e Zyrihut, ata i kanë konfirmuar se kërkojnë 7.5 milionë Euro për kartonin tim”.

Në vijim ai ndalet te ai rast i humbur përballë portierit Sommer që mund të kishte rikthyer barazpeshën në fushën e lojës.

“Të tilla raste i humbasin edhe lojtarë më të mëdhenj, por i gjithë sekreti është në faktin se si do të reagosh pas një rasti të tillë të humbur”.

Pavarësisht eliminimit që në fazën e grupeve, Sadiku e pranon se eksperienca europiane ka qenë unike për të.

“Në Francë përjetuam emocione të mëdha dhe nëse do ta dija se shqiptarët do të ishin kaq entuziastë do të kërkoja të vrapoja edhe më shumë në fushën e lojës”.