15 maj 2015 – De Biazi sot mund të krenohet me katër sulmuesit e Kombëtares që janë duke shkëlqyer në kampionatet ku luajnë. Shkëlzen Gashi, Sokol Cikalleshi dhe Bekim Balaj janë duke shënuar rregullisht dhe duke udhëhequr ekipet respektive drejt suksesit në Zvicër e Kroaci, por edhe Salihi ka rigjetur veten në Izrael, për të rikthyer bomberin e kohëve të arta. Lojtarë të cilët e bëjnë trajnerin të jetë i qetë për të zgjedhur njërin prej tyre në formacion, por nga ana tjetër ka një sërë lojtarësh.
Të zhdukur
Edgar Çani-Opinioni sportiv e projektoi si pasuesin ideal të Erjon Bogdanit, për parametrat fizikë dhe karakteristikat e lojës që shfaqte në fushë. Gjithashtu, transferimi te një ekip si Lids Junajtid ishte i bujshëm për një lojtar, të cilit De Biazi i dha besim. Por po aq i bujshëm u bë edhe dështimi i tij. Shumë pak minuta si lojtar dhe shumë tituj të mediave britanike si “çështje”. Tashmë, edhe e ardhmja e tij është në dyshim.
Armando Vajushi– Futbollist i Kievos në Serinë A, por për të gjetur një ndeshje në të cilën ai është aktivizuar, kalendari shkon një vit pas. Më 13 dhjetor 2014 është ndeshja e tij e fundit dhe ndeshja në të cilën ka shënuar golin e fundit si profesionist, në kampionatin bullgar. Kjo ndodh për shkak të faktit se në Serinë A, Vajushi ende nuk ka bërë debutimin dhe prej gati pesë muajsh ky lojtar nuk ka asnjë minutë në këmbët e tij.
Armando Sadiku-Dëmtimi i rëndë që e la jashtë fushës për muaj të tërë, ka bërë që te Zyrihu të gjejë pak hapësira për t’u aktivizuar dhe minutat në këmbët e tij janë të pakta. Edhe pse është ende pjesë e Kombëtares, për një periudhë të shkurtër duket shumë e vështirë që të ketë një vend në listën e De Biazit, duke qenë se më parë i duhet të rigjejë formën e tij të mirë dhe aktivizimet e vazhdueshme.
Azdren Llullaku e Agon Mehmeti, janë emra të tjerë që kanë qenë pjesë e Kombëtares dhe vijojnë të jenë pjesë e saj, por prej muajsh nuk ka asnjë gjurmë prej tyre. Megjithatë, kontingjenti i Kombëtares përfshin edhe emra të tjerë që janë…
Në vështirësi!
Jahmir Hyka-është thuajse i humbur, por aktivizimet e pakta e bëjnë që të duket një lojtar që është në vështirësi te Luzerna. 14 minuta në ndeshjen e fundit nuk janë asgjë, por janë shumë duke e krahasuar me Mërgim Mavrajn, që është titullar në Kombëtare, por që në ndeshjen e fundit u aktivizua vetëm në minutën e 91-të.
Etrit Berisha– është një tjetër pikë e fortë e Kombëtares dhe penalltia e pritur ndaj Ikardit në ndeshjen e fundit në Serinë A e vërteton diçka të tillë dhe faktin që po kalon një formë të mirë, por me Marketin e deleguar si numri një i Lacios, Berisha është në vështirësi deri në fund të sezonit. Cana, me dëmtimin që po kalon, mund të thuhet që gjithashtu është një pikë e fortë e Kombëtares, por po kalon një moment të vështirë. Ermir Lenjani është pika e referimit në të majtë me Agollin, por prej javësh, dëmtimi e ka lënë në hije në Francë. Transferimi në Ligën e Parë nuk i ka shërbyer aspak pozitivisht.