Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i është përgjigjur Lulzim Bashës, i cili ka deklaruar herë pas herë se bëhet pazare mes politikës së vjetër.

Në konferencë me gazetarët, Meta u shpreh se dihet kush është pazarxhiu, duke kujtuar djegien e  mandateve apo shtyrjen e zgjedhjeve lokale, që sic u shpreh kreu i PL, “Basha nuk e regjistroi PD në KQZ sepse kështu i interesonte Ramës”.

Meta ndër të tjera tha se “të gjithë e dinë kush është pazarxhiu, e ka në ballë”, ndërsa e ironizoi Bashën duke thënë “nuk bëhesh i ri duke lyer flokët”.

“Pazar ishte që ti bojkotoi, që të rrijë kjo ndarje që dua unë dhe kudo ku do të jenë kandidatët e LSI të mbështetur gjoja nga PS unë do të mbështes kandidatët e tu. Kjo ndodhi në Lezhe, në Pogradec etj.

E di gjithë Shqipëria se kush është njeriu u pazareve. Kush mbahet peng për të dëmtuar opozitarizimin dhe nuk bëhesh i ri duke lyer flokët. As duke thënë se unë jam fitimtar se bëj lapsuse sic bën Presidenti i SHBA. Opozitarët kanë humbur nga pazaret e tij dhe vetëm të tij. Sic ishte pazari edhe i djegies së mandateve, sic ishte pazari edhe për zgjedhjet lokale që i ra në gjunjë presidentit për të shtyrë zgjedhjet lokale dhe që e shtyu. E vendosi vetë datën e zgjedhjeve lokale dhe nuk e regjistroi PD në KQZ sic u regjistruan partitë e tjera të opozitës.

Pse? Jo se nuk i interesonte PD, por nuk i interesonte Edi Ramës, i cili duhet tu thoshte të huajave si do hyj në zgjedhjet lokale kur prapë PD nuk është regjistruar.

Të gjithë e dinë kush është pazarxhiu, e ka në ballë. Sa i takon pastaj të vjetër të rinj, e thashë që sado të lyhen flokët nuk ka rini aty ku shkëlqen mashtrimi”, tha Meta.