Rrjeti SafeJournalists shpreh shqetësimin për vendimin e Gjykatës së Lartë të Shqipërisë më 20 shkurt 2024, në lidhje me çështjen e gazetarit Elton Qyno, të cilit i janë konfiskuar pajisjet në 13 dhjetor 2023, nga Prokuroria Speciale Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK).

Z. Qyno, gazetar i kanalit Ora News, kundërshtoi ligjshmërinë e sekuestrimit të telefonave dhe kompjuterëve të tij në shtëpinë dhe zyrën e tij, duke pohuar se kjo cenon konfidencialitetin e burimeve gazetareske.

Siç u shpreh më parë nga Rrjeti SafeJournalists dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, veprimet e ndërmarra ndaj z. Qyno, përfshirë kontrollin e banesës dhe zyrës së tij dhe sekuestrimin e pajisjeve të tij personale dhe profesionale, krijuan një precedent shqetësues për sa i përket konfidencialitetit të burimeve për gazetarët dhe profesionistët e medias. në Shqipëri.

Ndërkohë që ne e kuptojmë domosdoshmërinë e respektimit ligjor në procedurat gjyqësore, është thelbësore që veprime të tilla të përputhen me parimin e njohur ndërkombëtarisht të mbrojtjes së burimeve gazetareske. Ky parim nuk është vetëm kritik për të drejtat e gazetarëve, por është gjithashtu thelbësor për të drejtën e publikut për informim dhe shëndetin e përgjithshëm të një shoqërie demokratike.

Dorian Matlija, avokati që përfaqëson z. Qyno, njoftoi synimin e tyre për të paraqitur ankim në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë. Ai argumentoi se, me vendimin e saj, Gjykata e Lartë ka shkelur vendimin e saj detyrues, i cili në mënyrë të qartë përshkruan procedurat dhe standardet që prokuroria duhet të ndjekë kur kërkon burime nga gazetarët profesionistë.

Rrjeti SafeJournalists pret zbulimin e plotë të vendimit gjyqësor nga Gjykata e Lartë dhe kërkon që të ruhet konfidencialiteti i burimeve të gazetarëve. Ne do të vazhdojmë ta monitorojmë këtë rast. 

Çdo sulm ndaj gazetarëve prek interesin publik, demokracinë dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve.

Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – Tiranë, 27 shkurt 2024

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë

Shoqata e Gazetarëve të BH

Shoqata e Gazetarëve Kroatë

Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë

Sindikata e Mediave të Malit të Zi