Do të mbahet sot në Gjykatën e Elbasanit seanca në lidhje me kërkesën e ish-kryebashkiakut të Kukësit Safet Gjici për zbutjen e masës së sigurisë, pra lirimin me kusht.

Ish-kryebashkiaku i Kukësit është dënuar me formë të prerë nga Apeli i GJKKO me 3 vite burgim, për “korrupsion pasiv”, pas skandalit seksual në zyrën e tij, i publikuar në qershor 2023.

Akuzat ndaj ish-kryebashkiakut të Kukësit

Safet Gjici u arrestua më 24 qershor të vitit 2023, pas video-skandalit të regjistruar në zyrën e tij ku ai kryen marrëdhënie intime me një grua (Akma K).

Fillimisht më 7 shkurt 2024 Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e dënoi Gjicin me dy vite burg.

Por më 24 qershor 2024 Gykata e Posaçme e Apelit e hodhi poshtë vendimin e shkallës së parë për Safet Gjicin, dhe e dënoi me 4 vite e 6 muaj burg, por falë gjykimit të shkurtuar atij iu zbrit 1/3 e dënimit duke u dënuar përfundimisht me 3 vite burg.

Ndërsa Alma Kaçi u dënua me 1 vit heqje lirie. Gjithashtu Safet Gjicit iu hoq edhe e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vjet.