Detaje të dhimbshme e tragjike dalin në dritë mbi viktimën 37-vjeçare shqiptare që humbi jetën në një aksident të tmerrshëm në Itali.

Valbona Daci, apo Valeria siç e thërrisnin të gjithë në vendin fqinj, vdiq tragjikisht të hënën në mbrëmje në autostradën 284, që lidh komunat Paterno e Randazzo, teksa po udhëtonte me një mjet tip “Ford Ka”. Ajo është përplasur fort kokë më kokë me një mjet tip “BMW” që sipas medieve italiane, ky i fundit po lëvizte në drejtim të kundërt. Ajo ka ndërruar jetë si pasojë e përplasjes së fortë ndërsa tre persona të tjerë që ndodheshin në “BMW” janë në gjendje të rëndë në spital.

“DurrësLajm” ka kontaktuar me të afërmit e viktimës që ndodhen në Durrës, të cilët janë tronditur nga tragjedia e radhës që ka pllakosur në familjen e Valbonës. Vetë 37-vjeçarja ka lindur në Elbasan, por shumë prej njerëzve të saj të afërt i ka pasur në qytetin e Durrësit. Ata thonë se jeta e Valbonës ka qenë gjithnjë e shoqëruar nga fatkeqësitë.

Pas një martese të dështuar në Shqipëri, e cila u bë pa dëshirën e saj, ajo largohet drejt Italisë për të krijuar një jetë të re e për t’i ofruar më të mirën e mundshme vajzës së saj të vetme. Pasi u shpërngul në Catania Sicili, vend në të cilin ndodhet edhe motra e saj më e madhe, e cila kur ishte e vogël është djegur por shpëtoi fatmirësisht, ajo integrohet në shoqërinë italiane, fillon punë e duket se jeta e saj nis të marrë për mirë, por ka qenë e shkruar për jo shumë gjatë.

Dhjetë vjet më parë, Valbonës i kanë vrarë vëllanë e vetëm. Ngjarja ka ndodhur në Firenze të Italisë dhe autori nuk është gjetur kurrë. Po në Itali, tanimë humb jetën edhe Valbona, fëmija tjetër i dy prindërve që jetojnë në mjerim në Elbasan. Ata ndodhen në gjendje shoku që pas marrjes së lajmit të kobshëm dhe për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore nuk mund të shkojnë dot në Itali për t’i dhënë lamtumirën e fundit vajzës së tyre. Ndërkohë, trupi i saj nuk është varrosur ende, pasi deri më sot ka qenë në morg për t’iu nënshtruar ekspertizave mjeko-ligjore.

S.L.