Cyrih– Më 3 shkurt në Shtëpinë e Operës në Cyrih do të shfaqet premiera e operës së njohur "Rigoletto", të Verdit, në të cilën tenori i madh shqiptar Saimir Pirgu luan rolin kryesor, atë të Dukës së Mantovës, transmeton albinfo.

Opera "Rigoletto" konsiderohet ndër më të njohurat dhe njëherësh më të vështirat në literaturën muzikore votërore.

I lindur në Elbasan në vitin 1981, Pirgu fillimisht do të mësonte për violinë. Vetëm pastaj te ai u zbulua talenti i rrallë i këngëtarit lirik. Kështu, ai do të mbarojë studimet për kanto në konservatorin e Tiranës dhe në atë të Bolzanos, Itali.

Në një moshë shumë të re, Saimir Pirgu do të fitojë çmime nga më të lartat që jepen në botën e operës. Vendi i parë në konkursin "Caruso" dhe në atë "Titto Schipa" në vitin 2002, Medalja Eberhard-Waechter për rolin e Memorinos më operën "Elixir d`amour" të Donizetti-t në Operën Shtetërore të Vjenës, janë vetëm disa prej tyre.

Ndërsa vlerësime nga më të rrallat ai do të marrë nga doajeni tashmë i ndjerë i operës, Luciano Pavarotti.

Deri më tash ka luajtur në një numër të madh të veprave klasike të operës botërore dhe ka shkelur në shumicën e teatrove më të njohura të operës në botë duke merituar vlerësimin më të lartë të skenave prestigjioze si Vjena, Madridi, Strasburgu, Cyrihu, Londra, Bilbao, Munihu, Berlini etj.

Publiku i Zvicrës, veç nga shfaqjet në shtëpitë e operës në Cyrih e në Lozanë, Saimir Pirgun e njeh nga dy shfaqjet jokonvencionale të operës, në të cilat ai ka pasur rolet kryesore. Bëhet fjalë për operën "Boheme" të realizuar në ambientin e ndërtesave të vjetra të në një lagje banimi të Bernës dhe "La Traviata", në Stacionin Hekurudhor të Cyrihut.

Pirgu është mjaft i pranishëm edhe në skenën muzikore të Shqipërisë, gjegjësisht në Tranë, ku merr pjesë në aktivitete të ndryshme artistike si i ftuar nderi.

Në operën "Rigoletto" të realizuar në Opernhaus të Cyrihut, rolet tjera, krahas Pirgut janë: Gilda, që luhet nga Aleksandra Kurzak, Rigoletto nga Quinn Kelsey etj., ndërsa drejtues muzikor është Fabio Luisi.

Shfaqja e operës "Rigoletto" në Opernhaus të Cyrihut, jepet më 3 shkurt 2013, në orën 19.00. Ajo zgjat, përfshirë pauzën, 2 orë e 45 minuta.

Pas premierës, reprizat e operës "Rigoletto" do të shfaqen edhe më 5, 8, 10 13, 17, 26 shkurt etj.