Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka dalë jashtë skenës politike pas heqjes së të gjitha funksioneve si në Partinë Socialiste ashtu edhe në parlament.

Teksa këtë të shtunë kishte njoftuar një konferencë për shtyp që më pas e anuloi, dhe megjithëse po hetohet për pjesëmarrje në trafikun ndërkombëtar të drogës në formën e grupit të strukturuar kriminal, ish-ministri i Brendshëm ka vendosur të hapë një biznes të ri, duke u bërë pjesë e botës së medias.

Interesant është emri i subjektit të regjistruar prej tij në QKB, i titulluar “Zëri i Popullit”. Ashtu siç rezulton dhe në dokumentet e QKR-së, data zyrtare e regjistrimit është 13 shtatori 2018. Tahiri deklaron se vlera e kapitalit është 100 mijë lekë të rinj dhe ai është i vetmi pronar.

Në objektin e aktivitetit të tij saktësohet “Media elektronike dhe e shkruar”, duke lënë të nënkuptohet se gjasat janë që "Zërin e Popullit" të Saimir Tahirit do të mund ta gjeni edhe të printuar. Në të dhënat zbulohet se si adresë ka dhënë rrugën “Prokop Mima”, e cila ndodhet në afërsi të Komunës së Parisit, pranë banesës së tij.