Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka këmbëngulur se nuk ka prova ndaj tij që prokuroria të kërkojë heqjen e imunitetit të deputetit për ta arrestuar
Në mbyllje të seancës së hapur të Këshillit të Mandateve dhe Rregullores që mori në dorë provat e avokatit të tij dhe të prokurorëve, Tahiri tha se pranon të hetohet por jo që ndaj tij të bëhen gjyqe politike.
“E patë ç’lloj estrade ishte kjo që në fakt nuk është dhe aq e paparalajmëruar, jam i vendosur ti shkoj deri në fund rrugës për të gjetur drejtësi
Pa asnjë diskutim në këtë rrugë do ketë vështirësi pa fund por unë nuk do dorëzohem kurrë
Ajo që besoj ju patë sot ishte në kufijtë e skandalozes edhe për të qeshur edhe për të qarë
Kjo që ndodhi sot dhe dje nuk ka ndodhur as në komunizëm dhe as fashistët nuk e kanë bërë
Të të thonë shko në burg dhe pastaj na provo ti se nuk ke marrë 5 mln euro në muaj kjo është estradë
Të paktën do i kish ftuar miqësisht të kishin sjellë një provë të vetme, ose të sjellin dëshmitarë Saliun, ai nuk ka shkuar as në gjykatë as në prokurori për të dëshmuar për të zezat që i ka bërë këtij vendi
Të vijë djali i tij la të vdekur 28 njerëz në gërdec dhe s’ka vajtur një herë në prokurori
I ftoj të dy këta të vijnë të bëhen dëshmitarë
Të vijë Basha që vodhi e vrau e nuk ka shkuar kurrë para drejtësisë po ja hodhi me raport mjekësor
Le të vijnë të përballen me mua për drejtësinë që unë meritoj
Unë pranoj çdo lloj hetimi, por kurrë një gjyq politik
Unë nuk merrem me gjithë banditët në parlament që sot kanë fytyrë dhe bëjnë moral
Bëni durim dhe hajde të presim të gjithë bashkë të dalë e vërteta, unë nuk i fshihem askujt”, tha Tahiri.
Ndërsa ai fliste për mediat jashtë ambienteve të kryesisë së Kuvendit e prisnin simpatizantë të tij, që me brohorimat dhe thirrjet përkrahëse ndaj Tahirit duke akuzuar me emra Sali Berishën si personin që fshihet pas, ishte disi e vështirë të dëgjohej deklarata e deputetit socialist.
Në Këshillin e Mandateve tashmë ndodhen vetëm deputetët, pa praninë e mediave, të cilët pasi të shqyrtojnë provat do të vendosin për heqjen ose jo të imunitetit të deputetit për Tahirin i cili akuzohet nga Prokuroria si bashkëpunëtor në trafikun e drogës me bandën e Habiljave, konkretisht Moisi Habilajt, i arrestuar në Itali si kreu i bandës që trafikonte kanabis nga Shqipëri në Itali, njëherësh kushëri me Tahirin.





