16 shtator 2013- Ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri ka mbledhur krerët e Policisë së Shtetit dhe të drejtorive të policive kombëtare. Gjatë fjalës së tij, Tahiri tha se situata e rendit publik  është emergjencë kombëtare. Sipas tij, tranzicioni i pushtetit mbaroi dhe bashkë me të ka mbaruar dhe hutimi kolektiv për të bërë punën.“Dhuna po shkund themelet e shoqërisë dhe armët po flasin më shumë se fjalët. Përgjegjësia duhet gjetur tek vullneti politik por po njëlloj përgjegjësie është brenda kësaj salle dhe brenda rradhëve të Policisë së Shtetit. Megjithatë kjo nuk është koha për përgjegjësitë dhe unë jam këtu që të ngremë në këmbë policinë për të vendosur sigurinë.

Ne do mbështesim të gjithë drejtuesit e përkushtuar të Policisë së Shtetit. Pres maksimumin tuaj, pa orar, pa kursim, pa kompromis. Presim që qytetarët të mos jenë të dobët e të pasiguritë. Askush prej punonjësve prej përmbushjes së detyrës nuk do të pengohet të bëjë detyrën në shërbim të ligjit. Që sot do të shembim murin e pandëshkueshmërisë, askush nuk ka imunitet nga ligji. Policia e Shtetit nuk ka asnjë imunitet tjetër përveç ligjit” u shpreh Tahiri.

Të rishikohet marrja e denoncimeve dhe të ketë rezultat për to, asnjë rast i tillë të mos mbetet pa zgjidhje. Do i japim fund sjelljeve arrogante, pasi forca e parandalimit është më e madhe se forca e ndëshkimit. Krimet e paralajmëruara janë të pafalshme. Nuk do të lejojmë më armëmbajtje pa leje, të cilat përdoren për zgjidhjen e problemeve nga më mediokre”, tha Tahiri. 

Në mbyllje të fjalës së tij Tahiri tha se nga sot të gjithë në polici, përfshi dhe atë si ministër janë në provë. 
Pas kësaj fjalën e mori drejtori i Policisë së Shtetti, z Hysni Burgaj, i cili garantoi ministrin se policia do të zbatojë çdo detyrë. 
Një ditë më parë, vetëm pak kohë pas betimit, Tahiri zhvilloi edhe një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj.