25gusht 2015 – Falet vajza e biznesmenit që inskenoi rrëmbimin për 400 mijë euro. Në një seancë me dyer të mbyllura, Gjykata ka vendosur sot masën e sigurisë “arrest me burg” për dy djemtë të cilët në bashkëpunim me Nensi Çobon, inskenuan një rrëmbim dhe i vunë një gjobë 400 mijë Euro babit të kësaj të fundit. Teksa ka falur vajzën e biznesmenit, duke i caktuar masën “detyrim paraqitje”.

Nga deklarimet e bëra përpara trupit gjykues, i dashuri Orion Hoxha dhe 19- vjeçari Kristi Gjore mësohet të jenë shprehur të penduar për atë që kanë bërë. Ata kanë deklaruar se gjobvënien e kanë bërë për shaka, “për të provuar dashurinë e babait ndaj vajzës”. Avokati i Orionit është shprehur: “Klienti im pretendon se ngjarja ishte thjesht lojë, për të provuar dashurinë e të atit”.

Megjithatë ndaj tyre është hapur një hetim penal me akuzat “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie të pasurisë e kryer në bashkëpunim” dhe “mashtrim me pasoja të rënda”.

DOSJA E PLOTË E PROKURORISË

Prokuroria për Krime të Rënda, mbi bazën e njoftimit të marrë nga  Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, ka regjistruar procedimin penal datë 21/08/2015 për veprën penale të “Shtrëngimit me anën e kanosjes për marrjen e pasurisë”, parashikuar nga neni 109/b i Kodit Penal.

Ka rezultuar se më datë 21.08.2015 rreth orës 13.00 në ambientet e D.P.Q. Tiranë është paraqitur shtetasi L.Ç, i cili ka bërë kallëzim para oficerit të policisë gjyqësore ku ka sqaruar se më datë 21.08.2015 rreth orës 12:15 në telefonin e tij me numër xxxxx241 ka marrë një thirrje nga numri xxxxx119 ku një zë mashkulli i ka thënë “Unë jam dikush që ka vajzën tuaj. Unë nuk kam asgjë personale me ju dhe e di që je njeri i mirë por unë jam në hall dhe më duhen 400.000 (katërqind mijë) euro.  Mos bëj asnjë tentativë të futësh policinë apo njerëz të tjerë në këtë punë” . Pasi e ka mbyllur telefonin, shtetasi L.Ç., nuk e ka marrë seriozisht komunikimin e mësipërm por rreth orës 12:23 ka marrë një telefonatë tjetër nga numri  xxxxx169 dhe po i njëjti zë i ka thënë “Kam hall dhe ato lekët më duhen. Unë e di që ti i ke aq para . Mos fut njeri në këtë punë dhe as policinë”.  Personi që ka komunikuar ka qenë tepër i qetë dhe nuk ka shfaqur asnjë lloj shenje nervozizmi edhe pse L.Ç., i ka folur me një ton të ashpër.

Menjëherë shtetasi L.Ç., pasi ka verifikuar se vajza e tij N.Ç. nuk ndodhej në banesë dhe kishte të fikur numrin telefonin celular është nisur drejt D.P.Q. Tiranë për të bërë kallëzim në lidhje me ngjarjen e sipërpërmendur.

Në orët e pasdites, policia ka kryer shoqërimin e shtetasve Orion Hoxha, Kris Gjore dhe N.Ç., të cilët rezultoi se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë organizuar dhe kryerjen e telefonatës për shtetasin L.Ç., me anën e të cilat kanë shtrënguar me anën e kanosjes për përdorimin e dhunës ndaj vajzës së tij për fituar padrejtësisht pasuri. Konkretisht këta shtetas të pyetur me cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime kanë deklaruar që Orioni dhe N.Ç., që është vajza e shtetasit L.Ç,  kanë qenë të njohur midis tyre dhe kanë menduar për t’i marrë një sasi lekësh këtij të fundit. Për këtë ata do të improvizonin rrethana të tilla sikur vajza e shtetasit L.Ç., shtetasja nën hetim N.Ç. ishte rrëmbyer dhe t’i telefonohej L.Ç, duke i kërkuar një sasi të madhe lekësh në këmbim të lirimit të saj.  Për realizimin e këtij plani, Orioni kishte biseduar dhe me shtetasin nën hetim Kris Gjore, që ishte shoku i tij, i cili do të kryente telefonatën.

Në datën 21/08/2015 në orët e mëngjesit, Orioni është takuar me Krisin dhe kanë blerë një aparat telefoni dhe dy karta SIM me numrat xxxxx119 dhe xxxxx169.   Orioni rreth orës 11:00 ka takuar shtetasen nën hetim N.Ç dhe e ka dërguar në një dhomë hoteli si dhe i ka marrë telefonin e saj me vete, të cilin e ka fikur.

Rreth orës 12:00, Krisi në prezencë të Orionit, ka marrë dy herë në telefon shtetasin L.Ç., duke i kërkuar 400 000 euro në këmbim të lirimit të vajzës së tij, e cila sipas tij ishte e rrëmbyer nga këta shtetas. Pasi L.Ç. ka bërë kallëzim në polici, kjo e fundit ka pasur dyshime se në këtë veprim ishte përfshirë shtetasi Orion Hoxha dhe ka shoqëruar familjarë të tij, për t’u interesuar lidhur me veprimet e Orionit atë ditë. I vënë në dijeni të këtij fakti, Orioni ka shkuar dhe ka takuar N.Ç, e cila priste në dhomën e hotelit dhe ka thënë që “…të shkonte në shtëpi sepse ishte bërë e madhe …”.  Kjo e fundit i ka telefonuar nënës së saj dhe polica ka kryer shoqërimin e më pas arrestimin e saj në flagrancë. Po ashtu Policia ka kryer shoqërimin dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve Orion Hoxha dhe Kris Gjore.  Të tre këta shtetas kanë pranuar faktet e mësipërme.

Në kushtet e mësipërme dyshohet se ndodhemi para elementëve të veprës penale të “Shtrëngimit me anën e kanosjes për marrjen e pasurisë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 109/b e 25 të Kodit Penal pasi shtetasit nën hetim  Orion Hoxha, Kris Gjore dhe N.Ç në bashkëpunim midis tyre kanë thurur planin për ti marrë shtetasit Laver Çobo një sasi të hollash dhe kanë kryer ekzekutimin e tij duke improvizonin rrethana të tilla sikur vajza e shtetasit L.Ç shtetasja nën hetim N.Ç ishte rrëmbyer, i kanë telefonuar L.Ç., duke I kërkuar një sasi të madhe lekësh në këmbim të lirimit të saj, duke e shtrënguar me anën e kanosjes këtë shtetas për të përfituar padrejtësisht pasuri prej tij.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/