Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka reaguar pasi dy vlonjatët Romarjo Alliraj dhe biznesmeni Arben Veliko kërcënuan gazetarët brenda sallës së gjyqit.
Veliko, njëri nga të arrestuarit që inskenuan atentatin për të përfituar azil politik në një nga vendet e BE-së iu drejtuan ashpër gazetarëve duke u thënë: "Hë se ua tregoj unë kur të dalim jashtë".
Unioni i Gazetarëve deklaron se asnjë lloj kërcënimi nuk e kthen pas misionin për të pasqyruar të vërtetën nga gazetarët dhe operatorët e qytetit të Vlorës, sado i ëmbël apo i hidhur qoftë ai.
"Unioni i Gazetarëve, dënon ashpër kërcënimin e bërë në drejtim të operatorëve të qytetit të Vlorës nga i akuzuari Arben Veliko në masën e sotme të arrestit. Unioni i Gazetarëve deklaron se asnjë lloj kërcënimi nuk e kthen pas misionin për të pasqyruar të vërtetën nga gazetarët dhe operatorët e qytetit të Vlorës, sado i ëmbël apo i hidhur qoftë ai. Ne deklarojmë sot se çdo lloj kërcënimi në cfarëdo lloj forme do të trajtohet nëpërmjet të gjitha hallkave përkatëse dhe do të merren masat e nevojshme. Sot gazetarët dhe operatorët janë më të bashkuar se kurrë dhe nuk lejojnë të cënohet asnjë gazetar apo operator nga individ, kriminel, politikan, punojës administrate dhe kushdo tjetër. Ne jemi këtu për ti shërbyer qytetit dhe qytetarëve të Vlorës", thuhet në reagimin e UGSH.





