Në 3 vitet e ardhshme, bashkia Durrës planifikon të investojë rreth 50 milionë lekë çdo vit për shtimin e sipërfaqes së gjelbërt në qytet.

Gjatë prezantimit disa ditë më parë të projekt-buxhetit afatmesëm 2022-2024, kryebashkiakja Emiriana Sako deklaroi se në një periudhë 3-vjeçare pritet të mbillen 10 mijë pemë të reja në qytet.

Një zë i rëndësishëm në buxhet është fondi për mbjelljen e pemëve në qytet. Kemi vendosur një buxhet prej 50 milionë lekë çdo vit, pra në total 150 milionë lekë, të cilat do të përkthehen në mbi 10 mijë pemë të reja në qytet në një hark kohor 3-vjeçar”, tha Sako në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak.

Mungesa e hapësirave të gjelbërta ka qenë një nga shqetësimet kryesore të ngritura nga qytetarët e Durrësit, të cilët vit pas viti kanë qenë dëshmitarë të betonizimit të qytetit dhe kthimit të sipërfaqeve dikur të gjelbëruara në hapësira ku dominon grija e betonit.

Një studim i realizuar nga Qendra Mjedisore për Mbrojtje, Edukim dhe Rehabilitim (EPER Center) për periudhën 2015-2020, konstatoi se Durrësi ka humbur në qendrën historike të tij (zona A) rreth gjysmën e sipërfaqes së gjelbëruar.

Nga 9.34 ha që ishte sipërfaqja e gjelbëruar në vitin 2015, ajo është reduktuar në 4.38 ha, duke mbetur thuajse gjysma e sipërfaqes së dikurshme (ka mbetur vetëm 4.96 ha)”,– bëri të ditur në korrik 2020 Qendra EPER.

M.B.