Kryetarja e Bashkisë së Durrësit dhe bashkëkryetare e Shoqatës Kombëtare të Bashkive, Emiriana Sako, ka vlerësuar si një moment të rëndësishëm themelimin e Akademisë së Trajnimit për Vetëqeverisjen Vendore – TALGA, duke e cilësuar atë si realizimin e një vizioni të kahershëm për pushtetin vendor në Shqipëri.
“Jam veçanërisht e nderuar dhe e emocionuar që sot u mblodhëm të gjithë së bashku për të kurorëzuar një iniciativë që ka marrë formë përmes një pune të gjatë, gjithëpërfshirëse dhe me shumë përkushtim: themelimin e Akademisë së Trajnimit për Vetëqeverisjen Vendore – TALGA. Ky moment përfaqëson jo vetëm lançimin e një institucioni të ri, por realizimin e një vizioni të kahershëm të pushtetit vendor në Shqipëri.
Si bashkëkryetare e Shoqatës Kombëtare të Bashkive dhe si bashkëfirmëtare e marrëveshjes për themelimin e Akademisë, e ndiej këtë nismë si pronë të përbashkët të të gjitha bashkive të vendit. Prej vitesh, ne kryetarët e bashkive kemi ndarë të njëjtën nevojë: krijimin e një strukture të dedikuar që fokusohet realisht në rritjen e kapaciteteve të administratës vendore, duke iu përgjigjur sfidave konkrete që hasim çdo ditë në territor.
Pushteti vendor ka bërë hapa të rëndësishëm përpara ndër vite në përmirësimin e shërbimeve, në menaxhimin financiar dhe në realizimin e investimeve për komunitetet tona. Megjithatë, ne jemi të vetëdijshëm se ka ende shumë hapësirë për përmirësim dhe shumë potencial për t’u shfrytëzuar. TALGA vjen pikërisht për t’u kthyer në instrumentin që na ndihmon të çojmë bashkitë në një nivel tjetër zhvillimi dhe profesionalizmi.
Ky është një moment sfidues për Shqipërinë, veçanërisht në kontekstin e procesit të integrimit europian. Bashkitë janë në vijën e parë të këtij procesi, sepse një pjesë shumë e madhe e standardeve dhe legjislacionit të Bashkimit Europian zbatohet drejtpërdrejt ose tërthorazi në nivel vendor. Për këtë arsye, përgatitja e administratës vendore nuk është thjesht një nevojë teknike, por një domosdoshmëri strategjike për suksesin e vendit tonë në këtë rrugëtim.
Akademia e Trajnimit për Vetëqeverisjen Vendore është krijuar mbi parimin e pronësisë dhe përgjegjësisë së përbashkët. Bashkitë kanë marrë një vendim të qartë për të investuar në këtë institucion, duke dërguar një mesazh të fortë se TALGA u përket atyre dhe është ndërtuar për nevojat reale të pushtetit vendor, sot dhe në afatgjatë. Ky model garanton qëndrueshmëri dhe e bën Akademinë një instrument funksional, të besueshëm dhe afatgjatë.
TALGA do të shërbejë si platformë mbështetëse për të gjitha iniciativat e rëndësishme që po ndërmerren në nivel vendor: përmirësimin e menaxhimit financiar, rritjen e transparencës, dixhitalizimin e shërbimeve lokale dhe forcimin e aftësive profesionale të administratës. Qëllimi ynë është i qartë: shërbime më cilësore, më të shpejta dhe më të drejta për qytetarët që ne përfaqësojmë.
Një vlerë e veçantë e kësaj Akademie është edhe partneriteti i fortë ndërkombëtar. Mbështetja e vazhdueshme e Zvicrës, Suedisë dhe Holandës ka qenë thelbësore në konceptimin dhe ndërtimin e TALGA-s. Ky bashkëpunim tregon qartë se reformat e suksesshme nuk ndërtohen vetëm, por përmes dialogut, besimit dhe përpjekjeve të përbashkëta.
Në këtë ditë të rëndësishme, dua të falënderoj sinqerisht të gjithë kryetarët e bashkive që e kanë përqafuar këtë nismë dhe kanë treguar ndjenjë të fortë përgjegjësie dhe angazhimi për ta kthyer TALGA-n në një histori suksesi. Po ashtu, falënderoj partnerët ndërkombëtarë, institucionet qendrore dhe përfaqësuesit e universiteteve që i kanë dhënë këtij momenti një domethënie të veçantë dhe një bazë të fortë për të ardhmen.
Jam e bindur se Akademia e Trajnimit për Vetëqeverisjen Vendore do të luajë një rol kyç në përgatitjen e bashkive për sfidat që na presin, por mbi të gjitha do të kontribuojë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë. Me këtë frymë bashkëpunimi dhe përgjegjësie të përbashkët, nuk ka asnjë arsye pse TALGA të mos kthehet në një model suksesi për qeverisjen vendore në Shqipëri.”, shkruan Sako.





