Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako dhe deputeti Jurgis Çyrbja kanë inspektuar një sërë investimesh të rëndësishme që po zbatohen në njësinë administrative të Ishmit. Ata kanë inspektuar qendrën e re shëndetësore që po ndërtohet në këtë zonë, një rrugë kryesore që po rehabilitohet tërësisht dhe disa banesa individuale që po rindërtohen në kuadër të procesit të rindërtimit. Kryebashkiakja Sako deklaroi se rruga prej 9 kilometrash që lidh Ishmin me qytete të tjera përfundon pas dy muajve e po kështu shumë shpejt përfundon edhe qendra shëndetësore. Nga procesi i rindërtimit në Ishëm po ndërtohen 300 banesa të reja individuale, janë rindërtuar 2 shkolla dhe 2 të tjera janë në proçes.
Gjatë vizitës në banesat individuale që po ndërtohen të reja kryebashkiakja Sako është takuar me banorët duke diskutuar me ta rreth punës që po bëhet në këtë njësi administrative si dhe rreth procesit të rindërtimit që po vijon me ritme të larta sin ë Ishëm ashtu edhe në të gjithë Durrësin.
Kryebashkiakja Emiriana Sako deklaroi se procesi i rindërtimit falë mbështetjes maksimale nga qeveria dhe kryeministri Edi Rama po ecën mjaft mirë dhe pritet që të përfundojë pranverën e vitit të ardhshëm.