Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako e ka nisur këtë fundjavë me inspektime të punimeve në disa akse të qytetit.

Ndalesa e parë ka qenë në rrugën “Sul Demiri” në lagjen 8, ku po realizohet rikonstruksioni i këtij aksi.

“Përmbushëm zotimin që kishim marrë ndaj banorëve të kësaj lagjeje. Asfaltimi i këtij segmenti rrugor 300 metra të gjatë do të lehtësojë ndjeshëm lëvizjen e mjeteve dhe këmbësorëve. Rehabilitimi i këtij aksi i shërben rreth 1800 banorëve të kësaj zone”,– shkruan Sako në rrjete sociale.

Ndërkohë ndalesa e dytë ka qenë në Shënvlash, të njësisë administrative Rrashbull, ku vijon puna për rikonstruksionin e rrugës “Andon Verdha”.

“Në këtë aks rrugor me gjatësi 800 metra kanë përfunduar punimet nëntokësore të kanalizimeve të ujërave të zeza, ndërkohë që po punohet për linjat e ujit të pijshëm e më pas do të fillojë puna për asfaltimin. Rikonstruksioni i i kësaj rruge i shërben 2500 banorëve të kësaj zone”,- shkruan Sako, ndërsa nëvizon se është takuar edhe me banorët e zonës, që e kishin kërkesë kryesore rehabilitimin e kësaj rruge.