Kryebashkiakja e Durrësit dhe njëkohësisht kandidate e PS-së Emiriana Sako, në takimin me banorët e njësisë administrative nr. 1 dhe lagjes 11 që janë lagjet e qendrës së qytetit, deklaroi se investimet në këtë zonë do të vazhdojnë më tej duke i dhënë prioritet zhvillimit të turizmit.
Takimi me banorët e lagjeve 1, 2, 3, 4 dhe 11 është zhvilluar në mjediset e pallatit të kulturës dhe aty kanë marrë pjesë drejtues të Partisë Socialiste dhe deputetë të saj.
Në fjalën e saj krybashkiakja Sako deklaroi se transformimi i Durrësit në sajë të mbështetjes së qeverisë dhe kryeministrit Rama do të vijojë më tej sipas vizionit për një qytet turistik evropian.
“Këto lagje janë zemra e Durrësit dhe ne kemi nisur transformimin e tyre prej vitesh. Kemi bërë sheshin kryesor të qytetit si dhe bulevardet e rikonstruktuara duke i dhënë prioritet lëvizjes së këmbësorëve, personave me aftësi ndryshe dhe nënave me fëmijë të vegjël.
Kemi tani shëtitoren “Taulantia”, një hapësirë krejt tjetër, e cila është kthyer në një aset turistik. Ne do t’i vazhdojmë më tej projektet e infrastrukturës, por lagjet në fjalë kanë përfituar edhe investime në infrastrukturën arsimore. Kemi rikonstruktuar kopshtin “7 Marsi” dhe shkollën “Jusuf Puka”, ndërkohë që shkollat “Bedrie Bebeziqi” dhe “Shaqe Mazreku” janë ndërtuar tërësisht të reja. Dy nga shkollat më të rëndësishme të qytetit, gjimnazet “Gjergj Kastrioti “ dhe “Naim Frashëri” do të fillojnë së shpejti për t’u ndërtuar nga e para”.
Kryebashkiakja Sako foli edhe për projektet e tjera që pritet t’i japin një zhvillim të mëtejshëm qytetit, siç janë projekti i marinës turistike, porti i mallrave në Porto Romano. Projekti më i rëndësishëm është cilësuar ai i Amfiteatrit, i cili do të jetë një projekt që do të zbatohet me disa faza dhe që financohet nga Fondi Amerikan i Zhvilllimit dhe Qeveria Shqiptare. Sako tha se projekti synon zbulimin e plotë të arenës dhe pjesës lindore të tij duke u shtrirë në gjithë zonën historike ku ndodhet amfiteatri, me qëllimin final që ky monument me vlera të jashtëzakonshme të futet në listën e UNESCO-s.