Pas rindërtimit dhe rikonstruksionit të 19 objekteve arsimore afro 8 mijë nxënës në Durrës mësojnë në ambiente moderne dhe kushte bashkëkohore.
Kështu ka deklaruar kryebashkiakja dhe njëkohësisht kandidatja e Partisë Socialiste për bashkinë e Durrësit Emiriana Sako, në takimin e zhvilluar me maturantë të shkollës së mesme “Gjergj Kastrioti”. Në këtë takim kryebashkiakja Sako shoqërohej edhe nga deputetja e PS-së Klodiana Spahiu.
Në bashkëbisedimin me të rinjtë e shkollës së mesme që votojnë për herë të parë, Sako tha se bashkia ka shumë projekte për të rinjtë, të cilat lidhen me arsimimin, argëtimin e tyre dhe kalimin e kohës së lirë.
Në disa ambiente që janë pronë e bashkisë Durrës, siç është dyqani i luleve, stacioni i Shkozetit apo qendra multifunksionale në lagjen 17, do të ndërtohen bibliotekat e lagjeve.
Mbështja financiare do të zgjerohet këtë vit edhe për nxënësit ekselentë të arsimit 9-vjeçar deri në klasën e pestë dhe po ashtu mbështetje do të ketë edhe për studentët, ku me Ministrinë e Arsimit është nënshkruar marrëveshja për pajisjen e 2500 studentëve me kartën e studentit.