Kryetarja e bashkisë Durrës, Emiriana Sako, në fjalën e mbajtur në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak deklaroi se ndryshe nga vitet e kaluara, masat për sezonin e ardhshëm turistik do të nisin që në muajin nëntor.

Sipas Sakos, shifrat e larta të turistëve dhe pushuesve që zgjodhën qytetin bregdetar për të pushuar këtë vit duhet të përkthehen sezonin e ardhshëm në më shumë masa dhe shërbime shtesë.

“Proçesi për ndarjen e plazheve dhe lidhjen e kontratave të fillojë brenda këtij viti, në mënyrë që në sezonin turistik mos të gjendemi përpara faktit që plazhet janë caktuar por për çështje dokumentacioni nuk është arritur në kohë realizimi i kontratave. Kështu që besoj që nga mesi i muajit nëntor do të fillojmë me aplikimin për plazhet në mënyrë që muaji mars i vitit tjetër t`i gjejë të gjitha kontratat e lidhura.”,- tha kryebashkiakja.

Gjatë mbledhjes, kryebashkiakja Sako njoftoi se do të nisë riforcimi i disa pallateve të tjera në Durrës me dëmtime DS4.

“Pallatet të cilat janë miratuar për financim janë 5 objekte DS4 tek rruga “Horizonti”,  lagja 18. Kemi objektin tek rruga “Mujo Ulqinaku”, kemi pallatin 6 katësh tek rruga “Venecia” në rajonin 5, kemi objektin në rajonin 2 “Jusuf Molla”, kemi pallat rruga e “Mozaikëve “në rajonin 3 si dhe 2 objektet e Shkozetit të ndërtuara nga firma “Erar”, për të cilat është miratuar fondi. Shtoj këtu edhe 35 banesu individuale për të cilat është miratuar fondi dhe ne menjëherë do të fillojmë procesin e prokurimit për të përzgjedhur firmat dhe për të filluar punën në terren.”,- u shpreh Sako.

Një nga pikat e rendit të ditës të miratuara në unanimitet nga këshilltarët ishte ajo e listës emërore të familjeve përfituese të programit të kredisë së lehtësuar për strehim me 3 % interes.

Janë gjithsej 345 familje që përfitojnë kredi të butë dhe sipas bashkisë, bëhet fjalë kryesisht për familje të reja.