Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, e pranishme në ceremoninë e përurimit të tragetit më të ri që do të lidhë portin më të madh në vend me atë të Ankonës në Itali deklaroi për herë të parë shifrën zyrtare të turistëve të huaj që kanë kaluar pushimet që nga fillimi i vitit në qytetin bregdetar.

“Kemi pasur mbi 1.5 milionë turistë që kanë zgjedhur qytetin tonë për të qëndruar apo për të kaluar tranzit drejt qyteteve të tjera. Është një shifër e rëndësishme, e cila ndikon direkt në ekonominë tonë.”

Njëkohësisht, kryetarja e bashkisë nuk la pa përmendur investimet që po bëhen në qytet, që lidhen me insfrastrukturën portuale, si marina e jahteve apo porti tregtar në Porto Romano, për të cilin vitin e ardhshëm qeveria do të hapë garën.

“Për vitin 2024, qeveria shqiptare ka vënë një buxhet shumë të rëndësishëm për fillimin e garës për ndërtimin e portit të ri tregtar të Porto Romanos. Por eedhe investimet e tjera në infrastrukturën rrugore dhe atë hekurudhore do të bëjnë të mundur që Durrësi të ketë akses më të mirë me të gjithë territorin e vendit”,- tha ajo ndër të tjera.

M.B.