Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, ishte sot në Manzë së bashku me kryeministrin Edi Rama, për të dorëzuar 230 apartamentet e përfunduara në lagjen e re, të rindërtuar pas tërmetit.
Pasi falenderoi kryeministrin për mbështetjen e madhe që ka dhënë për procesin e rindërtimit në Durrës, Sako nënvizoi se krahas 230 apartamenteve të ndërtuara, po në këtë zonë janë ndërtuar 140 banesa individuale me kushte shumë më të mira sesa para tërmetit të 26 nëntorit 2019.
Në nëntor 2021 dhe janar 2022 bashkia Durrës zhvilloi dy shorte publike për të ndarë 92 apartamentet e para për familjet e Manzës të dëmtuara nga tërmeti.
Pas fatkeqësisë natyrore të 26 nëntorit, qeveria Rama shpalli me një VKM të posaçme zonën e re për zhvillim në Manzë, ku tashmë kanë përfunduar së ndërtuari 9 banesa kolektive 5 dhe 6 katëshe, ku do të sistemohen rreth 226 familje.