“I gjetëm njësitë administrative të qeverisura nga Partia Demokratike pa infrastrukturë, pa investime dhe të mbytura në borxhe. Që nga viti 2015 kur nisi reforma territoriale dhe vazhdim, përveçse shlyem borxhet e këtyre njësive, arritëm që të bëjmë edhe shumë investime të tjera”.
Kështu është shprehur kryebashkiakja Emiriana Sako, njëkohësisht kandidate e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 14 majit në takimin me banorë të Romanatit, pjesë e njësisë administrative Rrashbull.
Kryebashkiakja Sako iu ka bërë thirrje banorëve që në këto zgjedhje të votojnë numrin 2 dhe Partinë Socialiste duke shikuar vetëm përpara dhe jo të djathtën, që është prapambetja dhe e shkuara.
Në takimin me banorët e kësaj zone, Sako tha se janë planifikuar investime në shumë rrugë të fshatit Romanat, të cilat nisin që këtë vit, ndërkohë që edhe rrjeti i ujit të pijshëm do të ndërtohet tërësisht i ri.
Duke folur për bashkinë e Durrësit, kryebashkiakja Sako tha se një punë e madhe është bërë për rindërtimin ku në gjithë bashkinë janë ndërtuar 744 banesa të reja, 18 shkolla dhe shumë qendra të reja shëndetësore.