Ditën e sotme, kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako ka qenë në njësinë administrative Sukth, ku ka ndjekur nga afër punimet që po realizohen aty për ndërtimin e shkollës së mesme “Dhosi Liperi” dhe agjinaturën e lumit Erzen.
Sipas kryebashkiakes,muajin e ardhshëm gjimnazi do të hapë dyert për 320 nxënësit e tij dhe stafin pedagogjik në ambiente të reja, komode dhe me standarte evropiane.
Ndërsa gjatë takimit që ka zhvilluar me banorë të Sukthit, shtëpitë e të cilëve ndodhen përgjatë rrjedhës së lumit Erzen, kryebashkiakja ka deklaruar se po rehabilitohet shtrati i lumit për të parandaluar përmbytjet.
“Po zbatojmë angazhimin që kemi marrë ndaj banorëve të kësaj zone për rehabilitimin e kësaj agjinature me qëllim parandalimin e përmbytjeve. Bashkëbisedova me këta banorë që tashmë po shohin të marrë zgjidhje konkrete një nga problemet kryesore që ata kishin.
Vitin e kaluar është rehabilituar një segment prej 1 kilometër ndërsa aktualisht ka filluar puna për segmentin tjetër që ka të njëjtën gjatësi prej 1 kilometër. Po punohet për rehabilitimin e shtratit të lumit, sistemimin e bankinës dhe ngritjen e agjinaturës. Puna do të vijojë derisa të rehabilitohet argjinatura e këtij lumi në të gjitha zonat problematike për të parandaluar përmbytjet”,– shkruan Sako në rrjete sociale.





