Kryetarja e bashkisë së Durrësit dhe njëkohësisht kandidate e PS Emiriana Sako e shoqëruar nga drejtuesi politik i qarkut Adrian Çela dhe deputeti Jurgis Çyrbja, ka zhvilluar një takim me banorët e Sukthit.

Njësia administrative Sukth ka përfituar shumë investime ndër të cilat edhe 5 objekte arsimore të reja dhe 2 të tjera në proces, ndërkohë që të tjera investime do të kryhen gjatë këtij viti, kështu është shprehur Sako.

“Këtu në Sukth ne kemi bërë një punë shumë të mirë përsa i përket infrastrukturës arsimore. Kemi ndërtuar nga e para shkollat “Ismet Nanushi”, “Njazi Mastori”, secila me kopshte të reja, ndërkohë që në proces kemi ndërtimin e shkollës “Dhosi Liperi” dhe shkollës në Vadardhë”.

Kryebashkiakja Sako ka sqaruar banorët edhe në lidhje me deklaratat e kandidatëve të tjerë në këto zgjedhje për pallatet e shembura nga dëmtimi që pësuan nga tërmeti.

“Unë dua të sqaroj diçka këtu me ju, që lidhet me akuzat e kandidatëve kundërshtarë, të cilët në fakt kanë dizinformuar në lidhje me procesin e rindërtimit dhe pallatet që ne kemi shembur pasi u dëmtuan nga tërmeti. Dua ta bëj të qartë një herë e mirë para jush se pallatet do të ndërtohen aty ku kanë qenë, ndërkohë që kush dëshiron mund të aplikojë dhe të transferohet për të banuar tek lagjja e re në Spitallë, kjo është e vërteta”.

1200 banorë të njësisë administrative Sukth kanë përfituar nga programi i rindërtimit duke përfituar grante rikonstruksioni, ndërkohë që 40 familje deri tani kanë përfituar banesa të reja individuale nga ky program ndërkohë që do të rindërtohen edhe disa pallate të reja. Bashkia Durrës ka dëmshpërblyer 143 familje të dëmtuara nga përmbytjet, ndërkohë që gjatë këtij viti është parashikuar rikonstruksioni i aksit rrugor Kullë-Manëz.