Gati 10 muaj pas tërmetit të 26 nëntorit, Durrësi vuan pasojat e asaj nate të frikshme. Godinat e shpallura të pabanueshme dhe sheshet bosh (aty ku më parë ngriheshin ndërtesat e dëmtuara rëndë) na sjellin të gjithëve ndërmend se Rindërtimi do të jetë një proces jo i shkurtër, por edhe mjaft kompleks.
Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, e mori detyrën në një moment mjaft të vështirë për fatet e qytetit. Tërmeti dhe pandemia Covid-19 thuajse e kishin gjunjëzuar Durrësin. E ndërgjegjshme për punën e madhe që kishte përpara së bashku me gjithë stafin e bashkisë dhe ndërmarrjet në varësi, Sako u angazhua për t’i dhënë rrugëzgjidhje dhjetëra problematikave të ndryshme. Megjithëse e pranon se Durrësi ka ende shumë rrugë përpara deri në riparimin e të gjitha dëmeve që lanë pas ato 30 sekonda që shenjuan historinë e qytetit, kryebashkiakja thotë se deri më tani janë bërë punë të mira dhe rreth 8 mijë familje kanë përfituar grantin e rindërtimit të banesave. Nisja e punës në tetor për rindërtimin e banesave individuale për të cilat është marrë vendim në Këshillin Bashkiak dhe riparimi i ambienteve të përbashkëta në pallatet me nivel dëmi DS1, DS2 dhe DS3 janë sfidat më të afërta.
“Rreth 8 mijë familje kanë përfituar grantin e rindërtimit dhe shumë prej tyre kanë përfunduar tashmë edhe riparimin e ambienteve të brendshme, ndërkohë që në total janë 10 mijë familje që përfitojnë grantin dhe ne jemi drejt përfundimit të këtij procesi. Gjithashtu kemi miratuar në Këshill Bashkiak 904 familje përfituese, të cilave do t’u rindërtohen banesat. Në muajin tetor presim nisjen e ndërtimit të banesave të para në njësitë administrative Sukth, Manzë dhe Ishëm”,- thotë kryebashkiakja Sako gjatë një interviste për DurrësLajm.
Njëkohësisht ajo thekson se sapo puna të nisë, procesi do të ecë me ritme shumë të shpejta, ashtu siç po punohet për ndërtimin e godinave arsimore, të cilat pritet të përfundojnë në kohë rekord.
Proces i komplikuar për pallatet me dëmtime DS4
Po ndërsa jemi gati 10 muaj pas tërmetit me magnitudë 6.4 Rihter, procesi më i komplikuar deri më tani rezulton të jetë përfundimi i akt-ekspertizave të thelluara, të kryera nga Instituti i Ndërtimit. Nga 260 kërkesa për akt-ekspertiza të thelluara për pallate, në bashki kanë mbërritur rreth 100 prej tyre si dhe 1000 akt-ekspertiza për banesa individuale. Kryebashkiakja e pranon se ende nuk ka një datë të saktë se kur mund të përfundojë e gjithë pjesa e mbetur e akt-ekspertizave nga Instituti i Ndërtimit.
Dhënia e grantit të rindërtimit ka zgjidhur jo pak hallin e mijëra familjeve durrsake, por qytetarët që janë banorë të pallateve me dëmtime DS4 janë aktualisht pjesa më vulnerabël e këtij procesi. Në rastet kur Instituti i Ndërtimit ka vendosur për riparimin e pallatit të tyre, skepticizmi i banorëve është i madh.
“Ne kemi marrë një fond për hartimin e projekteve për pallatet që kanë dëmtime në shkallën DS4 dhe Instituti i Ndërtimit ka vendosur për riforcimin dhe riparimin e tyre. Shumë shpejt do të bëjmë procedurën përkatëse për përzgjedhjen e studiove që do të hartojnë projektet për riforcimin e godinës dhe riparimin e saj. Më pas, këto projekte do t’ia dërgojmë Ministrisë së Rindërtimit për të kërkuar mbështetje financiare, me qëllim që të fillojë puna edhe në këto godina”,– thotë Sako.
Shembja e pallateve
Ditën e diel, pritet të realizohet shembja e mureve të brendshme të pallatit 13-katësh në lagjen nr.17, i njohur si pallati i Kastratit, ndërkohë që i planifikuar për t’u shembur është edhe një godinë 8 katëshe në lagjen nr.5, rruga “Hysen Kërtusha” për të cilën është marrë tashmë vendimi në Këshillin Bashkiak. Procesi i shembjes së saj paraqitet kompleks, pasi ndodhet në qendër të qytetit. Javët e fundit, aksionet e shembjeve janë përqendruar kryesisht tek godinat 5-6 katëshe të para vitit 1993, por përsa kohë nuk ka ende përgjigje definitive nga Instituti i Ndërtimit për rreth 160 akt-ekspertiza të tjera, nuk mund të flitet për një shifër konkrete sesa do të jetë numri i pallateve që do të shemben në Durrës për t’u rindërtuar. Përveç pallateve të shembura, ku ka pasur viktima njerëzore, në të gjitha godinat e tjera, rindërtimi do të realizohet në po të njëjtin vend.
Dimër sërish në çadra?
Banorët e pallateve të shembura apo të shpallura të pabanueshme jetojnë prej muajsh në shtëpi me qira. Por situata më e vështirë është në njësitë administrative, ku prej gati 10 muajsh banorët jetojnë në çadra apo kontejnerë. Gjasat janë që shumë prej tyre do t’u duhet të kalojnë një tjetër dimër në çadra.
“Unë kam vizituar shumë familje që janë në këto kushte në njësitë administrative. Procesi për fillimin e Rindërtimit të këtyre banesave është drejt fundit. Kanë kaluar gati 10 muaj, por banorëve nuk do t’u duhet më tani të presin sërish 10 muaj të tjerë, pasi siç e thashë edhe më parë, ndërtimi nga e para e banesave individuale do të jetë një proces i shpejtë”,– thotë kryebashkiakja Emiriana Sako.
Krahas qytetit, që regjistroi dëme të mëdha materiale, njësitë administrative si Ishëm, Manzë, Sukth etj ishin ndër zonat më të prekura në bashkinë e Durrësit dhe janë pikërisht ato që kanë edhe numrin më të madh të shtëpive të shpallura të pabanueshme dhe që janë shembur.
M.B.





