Kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako ka nënshkruar kontratën sociale të hartuar nga 12 organizata të shoqërisë civile, e cila është hartuar pas takimeve me qytetarë dhe grupe të ndryshme interesi, kërkesat dhe prioritetet e të cilëve janë pasqyruar në kontratë.
Kryetarja e bashkisë, njëkohësisht kandidate e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 14 majit, Emiriana Sako në bashkëbisedimin që ka kryer me përfaqësues të shoqërisë civile, aktivistë, të rinj, qytetarë të Durrësit ka folur për programin e mandatit të ardhshëm 4-vjeçar, duke u përqëndruar në 12 shtyllat kryesore të tij.
Sako tha se i kemi kushtuar vëmendjen e duhur investimeve në fusha të ndryshme por edhe për godinat e reja arsimore, terrenet sportive, mbështetje për nxënësit ekselentë dhe këshillin vendor rinor.
Të pranishmit kanë bërë pyetje të ndryshme për kryetaren e bashkisë, të cilat lidheshin me infrastrukturën rrugore, studentët, lehtësirat që mund të krijohen për ta dhe bibliotekat.
Kryebashkiakja Sako i ka njohur pjesëmarrësit me të gjitha projektet e planifikuara për Durrësin ndërkohë që theksoi se të gjitha shkollat e reja që janë ndërtuar kanë pasur si qëllim që ato të jenë të hapura për komunitetin e zonës.
Në këtë takim kryebashkiakja Emiriana Sako ka folur edhe për projektet e shkollave “Vasil Ziu” dhe “Met Hasa” që do të ndërtohen të reja gjatë mandatit të ardhshëm si dhe ndërtimin e 7 kopshteve të reja dhe investime të tjera në infrastrukturë. Po kështu Sako ka folur edhe për projektet e tjera të mëdha që do ta transformojnë Durrësin në një qytet turistik evropian.