Në një postim në rrjete sociale, kryetarja e bashkisë Durrës, Emiriana Sako ka publikuar një video që lidhet me punimet që po kryhen për Parkun Urban, që po ndërtohet mbi kanalin e ujërave të larta që u mbyll dhe u rehabilitua.
Sako shkruan se “qyteti përfitoi një hapësirë publike prej 1.3 kilometrash, e cila tashmë po shndërrohet në një zonë shlodhjeje dhe argëtimi”.
Postimi i plotë:
Një hapësirë e re rekreative po merr jetë në zemër të Spitallës!
Punimet për Parkun Urban vazhdojnë me ritme të shpejta, duke sjellë një destinacion modern dhe mikpritës për qytetarët e çdo moshe. Ky park i ri do të ofrojë gjelbërim, ndriçim, zona të dedikuara për këmbësorët, pistë biçikletash, terrene sportive, kënde të posaçme pushimi për të moshuarit dhe hapësira lojrash për fëmijët.
Projekti po transformon rrënjësisht këtë zonë, duke rritur cilësinë e jetesës për banorët duke sjellë më shumë hapësira të gjelbra e aktivitete komunitare. Pas mbylljes dhe rehabilitimit të kanalit të ujërave të larta, qyteti përfitoi një hapësirë publike prej 1.3 kilometrash, e cila tashmë po shndërrohet në një zonë shlodhjeje dhe argëtimi.





