Kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako ka pritur ditën e sotme në një takim ambasadorin e Republikës së Bullgarisë në Tiranë, Ivaylo Kirov.

Në një postim në rrjetet sociale, Sako shkruan se kanë diskutuar për bashkëpunim në fushën e kulturës dhe arsimit si dhe për binjakëzimin e Durrësit me një qytet bregdetar në Bullgari.

Postimi i plotë:

Prita në një takim ambasadorin e Republikës së Bullgarisë në Shqipëri, Ivaylo Kirov, si dhe delegacionin që e shoqëronte atë.

Fillimisht e njoha delegacionin bullgar me vlerat e rralla historike, kulturore, ekonomike e turistike të Durrësit si dhe me projektet e rëndësishme që po transformojnë qytetin tonë.

Diskutuam për bashkëpunimin në fushën e kulturës dhe arsimit si dhe mundësinë e bashkëpunimit në kuadër të programit të qeverisë bullgare “Ndihma Zyrtare për Zhvillim”. Diskutuam edhe për binjakëzimin e Durrësit me një qytet bregdetar në Bullgari.