Është mbajtur në Durrës Asambleja e degës lokale të Partisë Socialiste, ku është prezantuar për herë të parë Emiriana Sako si koordinatore politike e qarkut të Durrësit.

I pranishëm në mbledhje ka qenë dhe Sekretari Organizativ i PS, Blendi Klosi.


Gjatë fjalës së saj në mbledhje, koordinatorja e qarkut e vuri theksin në pritshmëritë e kësaj force politike në zgjedhjet e vitit të ardhshëm në qarkun e Durrësit.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 dhe 2021, Partia Socialiste ka dërguar në Parlamentin e Shqipërisë 8 deputetë kundrejt 6 ligjvënës nga opozita.

Ndërkohë në zgjedhjet e vitit 2025 synimi i mazhorancës socialiste është edhe më ambicioz.

Shumë prej jush kanë më tepër përvojë sesa unë në menaxhimin e fushatave dhe ajo që do të kërkoja unë sot është bashkëpunimi.

Ne të gjithë e dimë, se nëse ne nuk bashkojmë forcat nuk arrijmë dot objektivat dhe fitoren, që kemi vendosur si synim për zgjedhjet e 2025-ës.

Durrësi në vitin që vjen mund të ketë 15 mandate, kjo është për t’u parë në muajt mars apo prill.

Objektivin tonë e kemi patjetër 8 me 6, nëqoftëse do të shkojmë 15 mandate do të kemi objektiv 9 deputetë për PS, e cila është një sfidë e jashtëzakonshme, por nuk është e parealizueshme dhe pse jo, pse mos të çojmë anijen e PS në brigje të tjera, ku nuk është ankoruar asnjëherë më parë”, u shpreh Sako.

Ndër të tjera në fjalën e saj, koordinatorja Sako, që njëkohësisht mban dhe detyrën e kryebashkiakes së Durrësit, falenderoi kryesocialistin Edi Rama për besimin dhe njëkohësisht paraardhësin e saj në këtë detyrë, Adrian Çela për punën mjaft të mirë të bërë me strukturat e PS-së në nivel qarku.

Mazhoranca socialiste prej disa javësh tashmë ka ndezur motorët e fushatës elektorale të vitit të ardhshëm, ku synimi është, jo vetëm fitorja e mandatit të katërt qeverisës, por edhe dërgimi në Kuvendin e Shqipërisë i 84 deputetëve, një rezultat ky i paarritur më parë nga asnjë forcë politike në këto 33 vite demokraci.