Kandidon për një mandat të dytë për bashkinë e Durrësit Emiriana Sako zbulon disa nga prioritetet kryesore të 4-vjeçarit të ardhshëm.
Shumë nga pikat e renditura më poshtë, por edhe të tjera që lidhen me procesin e trajtimit të mbetjeve urbane, përfundimin e investimit në shëtitoren e plazhit apo Eco Parkun marrin përgjigje në intervistën dhënë për “DurrësLajm”, që e gjeni të plotë në fund të shkrimit.
Rindërtimi – Çfarë po planifikon bashkia për banorët e lagjeve nr.5 dhe nr.6?
Parkimet në qytet – Si do të zgjidhet kjo problematikë e qytetarëve?
Stadiumi i qytetit – Çfarë do të ndodhë në fillim të muajit maj me të?
Investimet në lagjet periferike dhe njësitë administrative
Siguria në qytet – Zonat ku do të nisë projekti për instalimin e kamerave të sigurisë
Investimet madhore si marina turistike dhe amfiteatri si dhe projektet për turizmin
Sfidat për një Durrës më të pastër dhe të gjelbëruar
Projektet për markatat dhe pikat e grumbullimit për fermerët dhe ndërtimi i markatës së peshkut
Në programin elektoral që do të publikohet online në ditët në vijim, Sako ka parashikuar 12 shtylla kryesore, të cilat lidhen me sektorë të rëndësishëm si turizmi, zhvillimi urban, bujqësi dhe shërbime sociale.
Por pse duhet që qytetarët e Durrësit të votojnë më 14 maj Emiriana Sakon?
“Kemi një bilanc punësh të rëndësishme të realizuara, si rindërtimi, ndriçimi i qytetit, pastrimi, gjelbërimi etj. Këto janë argumente që kjo punë do të vazhdojë. Kemi dhe një kapitull shumë të rëndësishëm për zhvillimin e qytetit të Durrësit me projekte madhore të një rëndësie kombëtare dhe ndërkombëtare dhe patjetër që ne nuk duhet të jemi vetëm dëshmitarë të këtyre projekteve, t’i shohim të ndodhin nga jashtë, por duhet të jemi protagonistë dhe pjesëmarrës. Pjesëmarrës mund të jemi përmes vendimmarrjes”,- deklaroi kandidatja e PS, që garon për një mandat të dytë në krye të bashkisë.