Projekti APPRODI, i ndërmarrë nga bashkia Durrës, ka për qëllim të të nxjerrë në dritë dëshmitë arkeologjike të mbuluara nga rëra në fund të detit.

Në të njëjtën kohë, projekti ka për qëllim promovimin e rrugëve tregtare dhe porteve antike si destinacione eko-turistike.

Përmes një postimi në rrjete sociale, kryebashkiakja Emiriana Sako apelon për ta vizituar qytetin antik në çdo stinë të vitit, për të prekur nga afër historinë e tij mijëra vjeçare.

Postimi i plotë:

Durrësi është i pasur me site arkeologjike, të cilat janë të vizitueshme përgjatë gjithë vitit.

Por edhe pasuria arkeologjike nënujore përbën një vlerë të shtuar për qytetin tonë.

Bashkia e Durrësit ka ndërmarrë një nismë të rëndësishme për të nxjerrë në dritë dëshmitë e mbuluara nga rëra në fund të detit nëpërmjet zbatimit te projektit APPRODI.

Ky projekt ka si qëllim promovimin e rrugëve tregtare dhe porteve antike si destinacione eko-turistike. Zbulimet arkeologjike nënujore datojnë nga periudha parahistorike deri në periudhën e perandorisë romake (shek.I – shek. III i eres sonë) apo mesjeta ( zona e Kepit të Rodonit). Gjetjet më të shumta arkeologjike jane amfora, elemente arkitektonike, enë dhe shumë objekte të tjera.

Vizitojeni Durrësin dhe shijoni e përjetoni historinë e tij të pasur.