E pranishme mëngjesin e sotëm në shkollën 9-vjeçare “Jusuf Puka”, kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako premtoi se së shpejti do të nisë procesi i shembjes dhe më pas rindërtimit të 3 gjimnazeve dhe një shkolle 9-vjeçare të dëmtuara nga tërmeti.

“Shumë shpejt do të kalojmë në Këshillin Bashkiak miratimin për shembjen e tre gjimnazeve të Durrësit dhe shkollës “Eftali Koçi”. Çdo gjë është gati me donatorët e UNDP-së. Është përzgjedhur firma fituese dhe menjëherë me shembjen e objekteve do të fillojë puna për rindërtimin e tyre.”

Kryetarja Sako tha se ky vit i ri po nis me sfida për shkak të pandemisë Covid-19, por krahas punës së bërë në terren nga të gjitha ndërmarrjet në varësi të bashkisë për përmirësimin e kushteve nëpër shkolla po punohet gjithashtu edhe për Qendrën Kulturore të Fëmijëve dhe Bibliotekën e qytetit.

“Mësimi do të vazhdojë të bëhet me turne, por është një vit i ri shkollor dhe duhet të jemi optimist që do të shkojë shumë mirë. Nga ana tjetër, marr angazhimin për të punuar më shumë dhe kontribuar më shumë për krijimin e ambienteve të përshtatshme për fëmijët, për Qendrën Kulturore të Fëmijëve si dhe për bibliotekën e qytetit.”

Në 14 shkolla të bashkisë Durrës, mësimi do të bëhet me 4 turne, për shkak se shumë godina nuk janë funksionale prej dëmtimeve të tërmetit të 26 nëntorit 2019.

M.B.