Kandidatët për deputetët të PS të Durrësit Klodiana Spahiu dhe Keida Ferra si dhe kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako kanë zhvilluar një takim me banorët e lagjes nr.6 të qytetit. Në këtë bashkëbisedim është diskutuar për procesin e rindërtimit, por edhe investimet e mëdha që po ndryshojnë tërësisht Durrësin. Kryebashkiakja Sako deklaroi se mbi 10 mijë familje kanë përfituar deri tani grantin e rikonstruksionit, në 400 pallate ka përfunduar riparimi i ambienteve të përbashkëta, vijon me shpejtësi ndërtimi i banesave individuale, janë rindërtuar deri tani 14 shkolla me standarte bashkëkohore, puna vijon me shpejtësi dhe Durrësi po ringrihet.

Deputetja socialiste Klodiana Spahiu deklaroi se janë 3 projekte të rëndësishme që do ta transformojnë qytetin siç është lagja e re në Spitallë ku ka filluar puna dhe përveç 1 mijë apartamenteve që do të ndërtohen aty do të ketë edhe të gjithë infrastrukturën sociale, shëndetësore e arsimore duke qenë lagje model urbane. Po kështu deputetja Spahiu shtoi se edhe Eco Parku që po ndërtohet në atë zonë do të jetë ndër më të bukurit në vend ndërsa ndërtimi i portit turistik është ndër investimet më të rëndësishme të Durrësit.

Deputetja Spahiu deklaroi se të gjitha investimet që janë bërë e do të vijojnë të bëhen në qytet synojnë ta kthejnë Durrësin në një nga qytetet më të rëndësishëm turistikë të Ballkanit.