Kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, së bashku me zv/ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Dhimitër Kote ka zhvilluar një takim me fermerët e të gjitha njësive administrative.

Ky ishte takimi i radhës në kuadër të takimeve intensive që po bëhen prej kohësh me fermerët për zgjidhjen e problematikave të tyre.

“Bashkëbiseduam me fermerët për vendimin e miratuar në këshillin bashkiak lidhur me një ndërmarrje të përbashkët në funksion të rritjes së mbështetjes për fermerët ku bashkia do të jetë partner i tyre dhe do t’i përfaqësojë ata institucionalisht. Kjo do të jetë një njësi e cila do të shërbejë për nevojat e tyre.
Po kështu kërkesat e tyre do të reflektohen edhe në buxhetin e vitit të ardhshëm”, u zotua Sako.

Ndër të tjera, kryebashkiakja thotë se i njohën fermerët edhe me projektin që bashkia e Durrësit ka paraqitur në Ministrinë e Bujqësisë lidhur me ngritjen e pikave të grumbullimit për grurin dhe produktet e tjera bujqësore, projekt që do të jetë një mbështetje e madhe për fermerët e Durrësit.