Kryebashkiakja Emiriana Sako është takuar me përfaqësues të CHWB (Trashëgimia Kulturore pa Kufij) ku ka vizituar hapësirën e re edukative në brendësi të kantierit të Kullës C në Kalanë e Durrësit.

Teksa ka publikuar në Facebook disa foto të bëra gjatë këtij takimi, Sako shkruan në postimin e saj:

Me përfaqësues të CHWB (Trashëgimia Kulturore pa Kufij) duke vizituar hapësirën e re edukative në brendësi të kantierit të Kullës C në Kalanë e Durrësit.

Në këtë hapësirë të quajtur “Qoshku i Restaurimit” fëmijët e Qendrës Kulturore të Fëmijëve dhe të disa shkollave të qytetit kanë ekspozuar pikturat e tyre me temë “Muret Antike të qytetit tim”.

Kam vizituar edhe kantierin e kullës C, e cila u dëmtua nga tërmeti, ku zbatuesit e projektit CHWB vijojnë punën konservuese dhe përforcuese të këtij monumenti mjaft të rëndësishëm të historisë së qytetit tonë.

Muret rrethuese të qytetit në pjesën e tyre kryesore i përkasin periudhës së perandorit Anastas (491-518) me origjinë nga Durrësi. Ai e mbrojti qytetin me tre rradhë muresh prej tulle, nga të cilat ruhen 500 m gjatësi.

Perimetri i rrethojës ishte 3.5 km, lartësi 18 m dhe gjerësi 3.50 m. Ky sistem mbrojtës përforcohej me kulla pesëkëndëshe, me largësi 60-65 m nga njera-tjetra.