Kryebashkiakia e Durrësit, Emiriana Sako është zgjedhur zëvendëskryetare e Komitetit Drejtues të Akademisë TALGA, gjatë mbledhjes së parë të këtij organi, ku u hodhën bazat e funksionimit të strukturës së re që synon rritjen e kapaciteteve të pushtetit vendor dhe profesionalizimin e bashkive në Shqipëri.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë kryebashkiakia Sako përmes një postimi në rrjeter sociale.
“Në mbledhjen e parë të Komitetit Drejtues të Akademisë së Trajnimit të Njësive të Vetëqeverisjes Vendore, TALGA (Training Academy of Local Government in Albania), pata mundësinë të shoh nga afër një nga hapat më të rëndësishëm drejt ngritjes së kësaj nisme që synon fuqizimin e pushtetit vendor dhe rritjen e kapaciteteve të bashkive në Shqipëri.
Përfaqësues nga institucionet qendrore, bashkitë dhe qarqet u bashkuan për të vendosur bazat funksionale dhe organizative të Akademisë, e cila pritet të zyrtarizohet më 19 dhjetor.
Në këtë mbledhje u emërova zëvendëskryetare e Komitetit Drejtues, në përfaqësim të bashkive. Mbështetja unanime nga të gjithë anëtarët ishte një sinjal i qartë i besimit tek eksperienca dhe kontributi im në qeverisjen vendore. Ky emërim do të jetë për mua një shtysë e fortë në drejtim të përfaqësimit të balancuar dhe lidershipit të përgjegjshëm.
Gjatë mbledhjes u konfirmua se 60 bashki e kanë miratuar tashmë pjesëmarrjen në Akademi, ndërsa së shpejti pritet t’i bashkohet edhe Bashkia Memaliaj. U diskutua gjithashtu rregullorja e funksionimit, procesi i regjistrimit të Akademisë dhe struktura organizative.
Kjo mbledhje ishte një hap vendimtar drejt funksionalizimit të plotë të Akademisë në fillim të vitit 2026.
Ajo vendosi bazat e një institucioni të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës, të ndërtuar mbi dialogun dhe bashkëpunimin.”, shkroi kryebashkiakia Sako në rrjetet sociale.





