Zbardhen pikat konkrete të diskutimit gjatë takimit që zhvilloi paraditen e kësaj të diele kandidatja e Bindjes Demokratike për Bashkinë e Durrësit, Valbona Sakollari, me të rinj të qytetit për të prezantuar vizionin dhe projektin e saj për 30 qershorin.
Në këtë takim, ku mori pjesë edhe koordinatori i BD-së, Astrit Patozi, u shkëmbyen mendime për problemet e Durrësit sot dhe për mundesitë e zgjidhjes së tyre pas 1 korrikut.
Sipas njoftimit shpërndarë për shtyp nga Bindja Demokratike, theksohet se Sakollari tha se ajo “është e vendosur që tʼi japë qytetit administratën që meriton, duke u mbështetur te një model i ri dhe te njerëz që kanë treguar se dinë të menaxhojnë dhe të administrojnë mirë, kudo ku ata kanë punuar”.
Po ashtu, kandidatja për kryebashkiake, thotë se gjatë kësaj kohe është duke takuar shumë qytetarë dhe grupe interesi për tʼu njohur më mirë me shqetësimet dhe me problematikën reale të banorëve të Durrësit dhe se shumë shpejt do të dalë me një program ambicioz për zgjidhjen e tyre.
Ndërsa koordinatori Patozi, e vuri theksin në forcën e modelit të ri që përfaqëson kjo parti në skenën politike shqiptare.
“Ne do tʼu shkojmë njerëzve aty ku ata jetojnë dhe kurrë nuk do tʼi thërrasim ata që të na ndjekin në mitingjet e lodhura të politikës gati 30 vjeçare”, tha mes të tjerash ai.
Sipas Patozit, në Durrës BINDJA DEMOKRATIKE ka më tepër se kudo tjetër mundësi të jetë e suksesshme, pasi modeli i Rilindjes në bashkinë e këtij qyteti është ndër më të shëmtuarit në Shqipëri.
Të rinjtë që e morën fjalën në takim, shprehën entuziazëm për një sukses të mundshëm në këto zgjedhje, duke evidentuar se Durrësit do tʼi ofrojmë si kandidatin, ashtu edhe modelin më të mirë.





