Në videomesazhin drejtuar qytetarëve në çelje të fushatës elektorale, kandidatja e Bindjes Demokratike për bashkinë  e Durrësit, Valbona Sakollari thotë se të jesh durrsak sot nuk është kënaqësi e veçantë.

Për këtë, Sakollari bën përgjegjëse famën e keqe të rilindjes në qeverisjen e këtyre viteve. Sipas saj, qytetin bregdetar duhet ta pastrojmë jo vetëm nga plehrat, ujërat e zeza, balta por mbi të gjitha nga modeli i shëmtuar i administrimit dhe abuzimit nga pushteti.

"Durrësi nuk është vetëm qyteti i dytë i Shqipërisë apo porta kryesore mijëvjeçare e hyrjes në Europë. Për ne është vendi i mundësive të mëdha të zhvillimit dhe kapaciteve për qytetarët e vetë. Por, të jesh durrsak sot nuk është ndonjë kënaqësi e veçantë, dhe kjo falë famës së keqe të rilindjes në qeverisjen e këtyre viteve.

Ne duhet ta pastrojmë durrësin jo vetëm nga plehrat, ujërat e zeza, balta por mbi të gjitha nga modeli i shëmtuar i administrimit dhe abuzimit nga pushteti. Kjo njollë e pamerituar e ka dëmtuar atë shumë më tepër sesa skandalet apo dhe vetë masakra urbane e bashkisë në ikje.

Ne do t’ia kthejmë Durrësin shumë shpejt qytetarëve sepse askush nuk mund  të votojë  modelin e shëmtuar që iu imponua qytetit gati me dhunë. Ju nuk do votoni thjeshtë për një kandidate në garë. Ju do votoni bindjen tuaj për Durrësin e ringritur", thotë Sakollari në videon e shpërndarë në Facebook.