Në një kohë kur shumë qytetarë në të gjithë vendin nuk dinë nëse do të mbahen ose jo zgjedhjet në 30 qershor, dy kandidatet në garë në Durrës vijojnë fushatën elektorale.
Kandidatja e Bindjes Demokratike, Valbona Sakollari, ka zhvilluar dy takime në zona të ndryshme të Durrësit, ku është njohur nga afër me problematikat e qytetarëve.
Në takimin me banorët e zonës së ish-Kënetës, Sakollari ka evidentuar se një nga problematikat më të mprehta është kanali që e përshkon mes për mes lagjen. “Mbeturinat dhe mbetjet me të cilat është i mbushur rrezikojnë të kthehen në burim infeksioni dhe ndotjeje për gjithë qytetin”,– thotë Sakollari.
“Takimi i radhës me qytetarët e Durrësit u zhvillua në zonën e ish-kënetës. Një zonë e braktisur nga Bashkia e Durrësit prej vitesh tashmë, ku mungon ndriçimi, gjelbërimi, infrastruktura dhe ndotja është në nivelet më të larta. Edhe pse kjo lagjie numëron rreth 42 mijë banorë, qytetarë dhe taksapagues për shërbimet që duhet të marrin, duket se ata janë lënë në harresë dhe shpërfillje prej kohësh. Por problemi më i madh i kësaj zone është kanali që e përshkon përmes. Një kanal i ujërave të ndotura, i mbushur me mbetje dhe kafshë të ngordhura, i kthyer në një moçal, është burim infeksioni dhe ndotje për të gjithë qytetin. Është për të ardhur keq të mendosh se projekti për përmirësimin e kësaj situate është aprovuar dhe fondet janë marrë, edhe pse është pezulluar për arsye jo të qarta.
Në datën 30 qershor, është mundësia e të gjithëve ne të zgjedhim administrimin e duhur të Durrësit që meritojmë!”,– shkruan Sakollari në rrjete sociale.
Ndërsa takimi i dytë i kandidates për kryetare bashkie është zhvilluar me disa zonja të nderuara me të cilat ka ndarë shqetësime të tilla si keqtrajtimi nga sistemi i instaluar në administratën publike, mungesa e etikës, meritokracisë, mungesa e dëshirës për të lehtësuar sado pak jetën e qytetarit që troket dyerve të institucioneve etj.
“Kafe me një grup zonjash të nderuara, me të cilat ndamë të njëjtat shqetësime si qytetare, nëna, bija, intelektuale, profesioniste. Dhe shqetësimi më i madh, përtej kanalizimeve, qarkullimit, parkut, gjelberimit, pastërtisë, parkimit, etj, etj, etj, ishte keqtrajtimi nga sistemi i instaluar në administratën publike, mungesa e etikës, meritokracisë, mungesa e dëshirës për të lehtësuar sado pak jetën e qytetarit që troket dyerve të institucioneve pafundësisht në kërkim të zgjidhjes së problemeve e halleve, nga ana e atyre që e kanë për detyrë ti ndihmojnë.
A ka zgjidhje? Zgjidhja vjen duke filluar nga shembulli personal i drejtuesit të institucionit, nga respektimi i meritokracisë, zbatimi i drejtë i sistemit të matjes së performancës të administratën publike, vlerësimi e stimulimi i punës së punonjësve të institucioneve. Bashkë për Durrësin që meritojmë”,- shkruan Sakollari.





