Mohamed Salah mori sot një tjetër çmim, atë të “Lojtarit më të mirë të sezonit në Premier League”. Në një intervistë për “Sky Sport”, egjiptiani rrëfeu se vendosi të rikthehej në këtë kampionat për të treguar aftësitë e tij dhe t’u vërtetonte atyre që e kishin kritikuar herën e parë se gabojnë. 25-vjeçari nga Egjipti, këtë sezon ka realizuar 42 gola në 48 takime me Liverpool (në të gjitha kompeticionet), duke qenë një kandidat për të fituar “Topin e Artë”.

Në vitin 2014, Salah nënshkroi me Chelsea, por në atë aventurë të parë në Premier ai luajti vetëm 13 ndeshje me “blutë” e Londrës në dy sezone dhe më pas u transferua në Serinë A (luajti me Fiorentinën dhe Romën). Ndërsa në verën e kaluar u rikthye në Premier League, këtë herë për të luajtur me Liverpool, ku shkëlqeu në fushë, duke u kualifikuar edhe në finalen e Champions League (reds do të luajnë ndaj Real Madrid në Kiev).

“Gjithnjë kam synuar që të luaj këtu dhe të jap më të mirën time. Realizova dy sezone të mira në Romë, por doja të rikthehesha në Premier League dhe t’u tregoj njerëzve se çfarë jam në gjendje të bëj. T’u thoja atyre që thonin se nuk isha i aftë të luajë se jam një lojtar i mirë”, u shpreh Mohamed Salah. “Jam i lumtur dhe krenar. Për mua është nder të marr këto çmime dhe shpresoj të mos jenë të fundit. Klopp më ndihmoi shumë, sidomos jashtë fushe, ndaj e falënderoj shumë”, tha më tej Salah.