Nga Ylli Rakipi
Sali Berisha duhet të japë dorëheqjen!
Mos u çudisni! Nuk është një shprehje e lajthitur.
Sali Berisha duhet të japë vërtet dorëheqjen nga kryetar i Partisë Demokratike, sepse ka 30 vjet që ai është realisht kryetari i saj. Asnjëherë nuk është larguar. Asnjë ditë. As 30 vjet më parë, kur ishte President dhe ligji nuk e lejonte, por ai ulte formalisht në karrike Tritan Shehun. As sot nuk është larguar. As sot, kur çelësat e zyrës së kryetarit i mban Luli i mirë.
Opozita i ka humbur zgjedhjet e 25 prillit. Ndërkohë, që për herë të parë në këto 30 vjet pluralizëm, kundërshtari, Edi Rama, ka fituar mandatin e tretë. E ka fituar me vjedhje, me blerje, me banda, me trafiqe, me të gjithë makinerinë e partisë-shtet.
Të gjitha këto po i konsiderojmë të vërteta. Por, Edi Rama së pari ka fituar, për shkak të Sali Berishës, sepse, tetë vjet më parë, ai uli në karriken e vet, karriken e kryetarit, Lulzim Bashën. E uli pa garë, ose si të thuash, e emëroi në këmbë të vet me një garë fallco. Dhe e gjitha kjo, për të qëndruar vetë de facto, kryetar i pronës së tij, Partisë Demokratike.
Modeli që ai, doktori, zgjodhi, pra vendosja formalisht e një kukulle në krye të partisë, për tetë vjet rresht, nuk solli gjë tjetër veç zvogëlimin dhe rrudhjen e pronës, domethënë Partisë Demokratike.
Në një sistem të hapur, edhe me minimumin e demokracisë, nëse largohesh nga një parti politike, nëse jep dorëheqjen, duhet ta bësh atë vërtet. Përndryshe s’ka përse të largohesh, qëndron aty dhe ikën nga kjo botë bashkë me karriken…
Dhe që ta bësh këtë vërtet, pra të largohesh nga partia, ti ikën dhe lejon hapjen e një gare, për të zgjedhur pasuesin. Mund ta zgjedhësh atë, siç ndodh rëndom në vendet me pak demokraci, edhe mes rrethit tënd të ngushtë, por duhet të lejosh garën. Vetëm në shoqëritë e mbyllura, mund të emërosh liderin, udhëheqësin!
Sali Berisha, jo vetëm nuk e hapi këtë garë, por për të vendosur Lulin në krye të partisë, e spastroi atë nga figurat e rëndësishme që mund ta rrezikonin, duke e rrudhur opozitën tej mase.
Për të mbajtur partinë, në vitin 2017 Berisha i largoi Lulit jo vetëm çdo sfidant, apo rival, por e ktheu partinë që rrëzoi komunizmin, në një burg, ku shumëkush mund të qëndrojë, por ku nuk ka liri veprimi dhe mendimi.
Partia, sigurisht nuk është dhe nuk mund të jetë një burg.
Një parti të mbyllur totalisht, ti mund ta mbash deri ditën e vdekjes, por nuk ka ç’të duhet. Ky, mendoj se është problemi thelbësor i Partisë Demokratike.
Luli, ishte dhe është një njeri i mirë, por punët e partisë nuk i kuptoi asnjë ditë. Dhe kur një njeriu, me energji të shumta, i cakton një punë që ai nuk e kupton, natyrshëm do të merret me punë të tjera… Lulzim Basha në tetë vite në krye të partisë, nuk ndërtoi një opozitë parimesh, por pazaresh, kulisash dhe kompromisi. Rezultati është ky që shohim të gjithë sot.
Edi Rama ka rrëmbyer mandatin e tretë, duke përdorur të gjitha mjetet.
Sot, qindra mijëra demokratë janë thellësisht të shqetësuar! Janë të shqetësuar, që partia e tyre, që rrëzoi komunizmin, po shkon drejt humnerës. Që të shpëtojë nga kjo humnerë, ka vetëm një mënyrë dhe këtë e ka në dorë vetëm Sali Berisha.
Nëse ai do, ka ende shanse, sa vjen dhe më të vogla, që krijesa e tij dhe e qindra mijëra shqiptarëve, që lindi 30 vjet më parë, të mos vdesë, le ta lërë një ditë lodrën e tij të pleqërisë, ipadin, të shkojë në selinë e Partisë Demokratike, të mbledhë ata që kanë mbetur dhe t’ju thotë: “Më falni! Tetë vjet më parë, unë gabova. Dhe tani ju lutem, hapeni derën e madhe dhe bëjuni thirrje njerëzve të hyjnë brenda. Le të rrijë aty edhe Luli i mirë po deshi, le të jetë ai njëri prej nesh, por hapeni derën!” Kjo i ka mbetur të thotë…
Le të hapet dera, të hyjnë njerëzit, të fillojë gara, sepse PD është partia që rrëzoi komunizmin. Ajo nuk është një burg, as një ndërmarrje, as pronë private, por një parti.
Në fund, Luli i mirë, gardiani që mban çelësat e derës së madhe, Luli i gjatë dhe i pashëm, që asnjë fije floku nuk i thinjet kurrë, të hapë derën, të dorëzojë çelësat dhe njerëzit të hyjnë brenda… /TPZ.al