Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka uruar nëpërmjet Facebook kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe, Rishi Sunak për postin e rëndësishëm që ai do të mbajë.

Në urimin e tij, ish-kryeministri Berisha e ka krahasuar Rishi Sunak me Barack Obamën për arsyen se prindërit e Sunak janë të dy me origjinë indiane dhe kanë ardhur nga Afrika Lindore.

Postimi i Sali Berishës:

Rishi Sunak bën historinë!

Zgjidhet kryeminister i Mbreterisë së Bashkuar.

Të dashur miq,

Partia Konsevatore e Britanisë së madhe zgjodhi dje për kryeministër të Mbreterisë së Bashkuar njërin prej personaliteteve më të njohur të saj, politikanin dhe ekonomistin e shquar me reputacion botëror, Rishi Sunak.
Zgjedhja e tij dje si kryeministër u krahasua me zgjedhjen e Barack Obamës si president i SHBA sepse prindërit e Sunak janë të dy me origjinë indiane dhe kanë ardhur në Angli nga Afrika Lindore.

Rishi Sunak ishte minister i financave në kabinetin e Boris Johnson dhe pas dorhëqjes së këtij të fundit në shtator, garoi për postin e kryeministrit e Britanisë së Madhe. Por, këtë qëllim e realizoi me shpejtësi pas dorëheqjes së kryeministres Truss.

Me këtë rast, le ti urojmë ne kryeministrit Rishi Sunak suksese të mëdha në udhëheqjen e Partisë Konservatore dhe Mbreterisë së Bashkuar. #sb