Nga Durrësi, ish deputeti Ervin Salianji dhe kandidati më i votuar në qarkun e Tiranës nga radhët e PD, mjeku Ilir Alimehmeti apeluan për hapje të partisë, për të larguar nga pushteti kryeministrin Edi Rama.

Në një takim që organizuan me demokratët e qytetit bregdetar, ata vunë theksin në rëndësinë që u duhet kushtuar mbështetësve të partisë, të cilët ndihen të pamotivuar për të dalë në votime, siç edhe e treguan në zgjedhjet e pjesshme të pak javëve më parë, që u mbajtën në  bashki të vendit.

“Duhet ta themi hapur dhe me sinqeritet, opozita është e paaftë për të nxjerrë shqiptarët drejt kutive të votimit, dhe për t’i fituar zgjedhjet. Zgjedhjet e pjesshme lokale janë mesazh. Edi Rama nxori 15 mijë votues në Vlorë, por ne nuk nxorëm më shumë se 2 500.

E ndiej dhimbjen e militantëve, që luftojnë, por nuk dëgjohen. Demokratët janë lodhur, dhe kjo është e vërteta dhe ne nuk duhet të kemi frikë që t’i themi të vërtetat ashtu siç janë”,–  tha Salianji.

Ai tha gjithashtu se 7 muaj pas zgjedhjeve nuk është mbajtur asnjë përgjegjësi dhe asnjë takim mes strukturave.

“Na kanë gërryer shpirtin, e di zhgënjimin, harresën dhe i di problemet nga listat e mbyllura. Kam reaguar dhe nga burgu. I di një pjesë të aleatëve pa peshë. Largimin nga realiteti i njerëzve. Mungesën e shpresës, mosdhënien e llogarisë dhe mosmbajtjen e takimeve e 7 muaj pas zgjedhjeve, dhe asnjë përgjegjësi.

E ndiej dhimbjen e militantëve, që lufton por nuk dëgjohet. Demokratë janë lodhur, dhe kjo është  vërteta dhe ne nuk duhet të kemi frikë që t’i themi të vërtetat ashtu siç janë.”, tha Salianji.

Ish-kandidati për deputet i listës së hapur të PD në qarkun e Tiranës, Ilir Alimehmeti, në fjalën e tij tha se duhet sa më shpejt ta heqim këtë qeveri dhe këtë e bën vetëm e djathta që vë interesin e Shqipërisë para partisë.

“Sa më shpejt ta heqim këtë qeveri dhe këtë e bën vetëm e djathta që vë interesin e Shqipërisë para partisë.

Ju e kuptuat se kjo është një frymë për të bashkuar të gjithë për t’i diskutuar dhe për të bërë më të mirën e mundshme. Duhet të flasim me votuesit.”,– tha Alimehmeti.

Gjatë takimit e morën fjalën edhe ish-kreu i FRPD Durrës, Artion Barjamaj si dhe një nga kandidatët e listës së hapur të PD për qarkun e Durrësit, Ndrec Pjetri.

Vlen të theksohet fakti se salla e Qendrës Kulturore të Fëmijëve Durrës ishte e mbushur plot demokratë, ndërsa ishin të pranishëm edhe disa nga figurat drejtuese të degës vendore si kreu i grupit të këshilltarëve demokratë në KB Dritan Burgija, anëtari i KB, Arlind Boshku, ish-kreu i PD, Luan Hoti, ish-deputeti Pëllumb Berisha etj.

M.B.