Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar për protestën e opozitës të 22 marsit, duke kritikuar organizatorët e saj. Ai tha se ata janë “të trembur vetëm nga humbja e karrigeve të tyre” dhe se sipas tij nuk dinë e as nuk duan të dëgjojnë zërin e demokratëve që kërkojnë një ndryshim të vërtetë për largimin e kryeministrit Rama.

Ai thekson se Partia Demokratike nuk u krijua për të mbajtur karrige, por për të rrëzuar regjime. 

“Të trembur vetëm nga humbja e karrigeve të tyre, ata as dinë dhe as duan të dëgjojnë zërin e demokratëve që kërkojnë ndryshim të vërtetë që mundëson largimin e Ramës! Qytetarët e Tiranës nuk kanë pse mbajnë asnje kosto shtese prej keqqeverisjes, as gazin as molotovët! Partia Demokratike nuk u krijua për të mbajtur karrige, por për të rrëzuar regjime. Dhe kush e ka harruar këtë, është bërë pjesë e problemit, jo e zgjidhjes. 22 Marsi është dita e pluralizmit shqiptar. Dita e kthesës historike pas 45 vitesh vrasjesh, persekutimi dhe shtypjeje të ndërgjegjes. Institucioni politik që krijuan shqiptarët e lirë dhe të guximshëm ishte Partia Demokratike e Shqipërisë: partia e rinisë, e intelektualëve të lirë, e ndryshimit dhe e shpresës europiane. Kjo është simbolika e 22 Marsit. Kjo datë nuk mund dhe nuk duhet t’i shërbejë kultit të personalitetit të askujt. Zgjidhja është e qartë: gara, vota dhe zgjedhjet. Vetëm kështu Partia Demokratike mund të rikthehet fituese””, shkruan Salianji në reagimin e tij në X.