Pas seancës maratonë të tre ditëve më parë në Komisionin Hetimor për sistemin TIMS, ku dëshmuan për disa orë ministri i Brendshëm, Taulant Balla dhe drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, kreu i këtij komisioni, Ervin Salianji ka njoftuar mbledhjen e radhës.

Seanca do të zhvillohet më datën 10 qershor në orën 14:00, ku do të pyeten dëshmitarët, Ardit Muço, ish Përgjegjës i Sektorit IT në Policinë e Shtetit; Besjan Tanuzi, ish-Drejtor i Sistemeve, në Policinë e Shtetit; Ervina Gjana, Drejtore e Krimit Kibernetik, në Policinë e Shtetit.

Njoftimi i mbledhjes:

Në zbatim të vendimit të ndërmjetëm nr. 10, datë 04.06.2024 të Komisionit hetimor “Për trajtimin e të dhënave të sistemit TIMS”, Komisioni do të zhvillojë mbledhje ditën e hënë ora 14:00, datë 10.06.2024 me rend dite:

1. Miratim i procesverbalit të mbledhjes datë 04.06.2024.

Si dhe zhvillimi i seancave dëgjimore me dëshmitarët si vijon:

1. Ora 14:00 – Z. Ardit Muço, Ish Përgjegjës i Sektorit IT në Policinë e Shtetit;

2. Ora 15:00 – Z. Besjan Tanuzi, Ish Drejtor i Sistemeve, në Policinë e Shtetit;

3. Ora 16:00 – Znj. Ervina Gjana, Drejtore e Krimit Kibernetik, në Policinë e Shtetit.