Deputeti Ervin Salianji, jashtë sallës së Kuvendit tha se nuk do të kërkojë që të marrë detyrën si kryetar i grupit parlamentar të PD-së, derisa të krijohen të gjitha urat e komunikimit, që opozita të bashkohet.

(Dikur) Kam nisur të mbledh firmat, e kam arritur numrin e firmave të nevojshme në atë moment. Më shumë se 60 përqind e deputetëve të PD kanë qenë që unë të isha kryetar i grupit parlamentar, e kam stopuar, e kam ndaluar për t’i dhënë mundësi reflektimi dhe për ta përdorur edhe këtë funksion, të kryetarit të grupit, për ta lënë si një funksion zgjidhës që grupi parlamentar të bëhet bashkë. Nuk e marr përsipër dhe nuk do të jem në asnjë moment, pavarësisht se ligjërisht, që në momentin që jep dorëheqjen kryetari i grupit, me rregulloren e Kuvendit, jam po themi përfaqësuesi si nënkryetar i grupit, por me funksionet e kryetarit. Nuk do të marr asnjë hap të tillë derisa të krijohen të gjitha urat e komunikimit, që opozita të bashkohet. Nëse ka interesa personale dhe çarje dhe fragmentarizim, për të marrë funksione, padiskutim në një nga ditët më të vështira për opozitën… që të gjithë elementët nuk i heq që kanë të bëjnë me mungesën e zgjedhjeve të lira. Por unë nuk mund të them që ne nuk kemi përgjegjësi.

Secili prej funksionarëve të lartë të PD është përgjegjës deri më një. Secili prej demokratëve që ka sakrifikuar, sakrifikon, që përplaset, që dhunohet, që gjobitet, që përdor dhe mban në kurrizin e vet gjithë represionin e shtetit, janë heronj të këtyre zgjedhjeve. Të gjithë ne të tjerët që luftojmë për funksione personale jemi turpi i opozitës dhe kaq kisha për t’ju thënë”.

Përgjigja e Salianjit erdhi pasi u pyet nga gazetarët nëse do ta marrë këtë post, një ditë pasi Enkelejd Alibeaj njoftoi dorëheqjen si kryetar i komanduar i PD, njëherësh kryetar i grupit parlamentar.