Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji vazhdoi të fliste nga Foltorja, pasi seanca plenare u shty.
Në sallë mbetën vetëm Sali Berisha dhe mbështetësit e tij, ndërkohë që u fikën dritat. Salianji vazhdoi të fliste live në “Facebook”, duke theksuar se Kuvendi “nuk ka për të pasur normalitet përderisa ky institucion nuk po sillet si i tillë, por po sillet si vasal i Edi Ramës”.
“Siç e keni parë në javët e fundit, parlamenti nuk ekziston. PS ka kryer terrorizëm parlamentar. Rama i ka përdorur institucionet dhe parlamentin sikur t’i ketë pronë të vetën. Në këtë republikë nuk ekziston më as Kushtetutë, as ligje, por ekziston vetëm fjala e Edi Ramës që është kthyer në ligj. Për këtë arsye, opozita është e detyruar që t’i japë përgjigjen e merituar kësaj qeverie.
Në seancën e kaluar, PS u vetëdemaskua kur rrëzoi tri komisionet hetimore të kërkuara nga më shumë se 43 deputetë të opozitës. Kërkimi i komisioneve parlamentare është instrument i domosdoshëm i opozitës për të hetuar qeverinë. Rrëzuan komisionin hetimor për TIMS, për shkak se janë të përfshirë deri në fyt”.
Sipas demokratit, mazhoranca ka hedhur poshtë çdo komision hetimor të kërkuar nga opozita, pasi ka frikë se “hetimi nga deputetë të pakapur do të nxirrte në pah të gjithë korrupsionin dhe paligjshmërinë e bërë në këtë republikë”.