Deputeti demokrat Ervin Salianji, tha sot në Komisionin për “Çështjet Sociale” se Edi Lika, pronar i firmës që transportonte makina ku një ditë më parë u kap një sasi e konsiderueshme parash, punon për llogari të socialistëve.

“Këtë të Toyota Yaris e keni nxjerrë për para dhe s’është në burg për dhunë në familje. Ja ku e keni vendimin e gjykatës, policia s’e respekton”, tha deputeti demokrat duke treguar disa dokumente, për të cilat tha se janë dokumente gjykate që provojnë se Lika duhet të ishte në burg për dhunë në familje, por ndiqej penalisht në gjendje të lirë.

Salianji paralajmëroi deputeten socialiste Spiropali, njëkohësisht drejtuese e këtij komisioni, se për të “do të dalë shumë shpejt një dokument”.

Debati në komision, ku lajtmotiv ishte projektligji i ri për dhunën në familje, u zhvillua kryesisht mes deputetit demokrat Ervin Salianji dhe deputetes socialiste Elisa Spiropali.

DEBATI

Salianji: S’më provokoni dot!

Spiropali: S’kemi ardhur për sherre, nuk ka sherr të jesh i qartë.

Salianji: Jam shumë i qartë, për ty ka një dokument nga Italia, por s’po e nxjerr sot.

Spiropali: Shko në prokurori nëse ke informacion, çfarë dosjesh ke ti? Kush je ti që ke dosje?

Salianji: Mos e teproni…

Ndërhyn deputeti Bardh Spahia.

Spiropali: Dil përjashta!

Spahia: Lëri kolegët të flasin.

Salianji: Ja kush është personi i kapur me Toyota Yaris i dënuar për dhunën në familje (tregon dokumentet).

Spiropali: Jeni zhurma më e madhe në këtë sallë.

Salianji: Rregullo drejtimin. Mos u drejto ne personale. Ketë të Toyota Yaris e keni nxjerrë për para dhe s’është në burg për dhunë në familje. Ja ku e keni vendimin e gjykatës, policia s’e respekton.