Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, i është rikthyer sërish çështjes së largimit të shqiptarëve drejt Mbretërisë së Bashkuar, të cilët pas mbërritjes në ishull janë kërcënuar se do të dërgohen në Ruandë.

Me një video në “Facebook” nga qyteti Kigali i Ruandës, Salianji hodhi akuza për qeverinë Rama, ku tha se nuk ka asnjë plan për shqiptarët që rrezikojnë deportimin drejt këtij vendi.

Reagimi i Salianjit:

Skenari i rrezikshëm që kërcënon shqiptarët që nisen drejt Britanisë në mënyrë të paligjshme. Sekretarja e Brendshme Sulla Braverman u shpreh në konferencën e partisë konservatore se lufta ndaj emigracionit të paligjshëm ishte prioritet, do të ishte “ëndrra” e saj të shihte një foto të një avioni që çonte azilkërkuesit në Ruandë shkruan mediat britanike. Burimet qeveritare dhe mediat në Britani kanë ngritur prej muajsh shqetësim serioz mbi kalimin e paligjshëm të qytetarëve shqiptarë drejtë Britanisë!

Qeveria nuk ka reagim, nuk ka asnjë plan! Qytetarët meritojnë të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre dhe në çdo rast duhet të aplikojnë për viza të rregullta!